Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është takuar me krerët e bashkive të Matit dhe Klosit, deputeten e zonës dhe përfaqësues e drejtues vendor, i shoqëruar nga kreu i policisë së shtetit Ardi Veliu.
Gjatë prezantimit të situatës kreu i bashkisë Agron Malaj tha se Mati vijon të mbetet zonë e gjelbër duke menaxhuar në bashkëpunim dhe me qytetarët dy vatrat e krijuara nga raste të importuara me koronavirus në këtë bashki.
“Bashkia gjatë situatës së COVID-19 ka pas dy zona me raste të importuara nga Kruja e Tirana, fatmirësisht vijojmë të jemi zonë e Gjelbër, dy vatrat në Batër e Madhe dhe Urakë janë zona që u izoluan dhe rastet kaluan drejt shërimit”, u shpreh Malaj.
Kryebashkiaku dha dhe lajmin e mirë për zonën se prej gjashtë muajve paligjshmëria e prerjes së pyjeve ka vajtur në nivelin zero, në një zonë me mjaft potencial për turizmin. Ndërsa bashkëpunimi me policinë e shtetit me kontrollin çdo dy javë të territorit është korrekt dhe ka pasur efektshmërinë e saj duke shpresuar të mos ketë më raste të mbjelljes së kanabisit.
Ministri Lleshaj ka nisur një tur takimesh për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, ndërtimet pa leje, masat kundër dëmtimit e prerjes së pyjeve, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.
