Pas kritikave për transparencën dhe sulmeve ndaj medias, tashmë organi i akuzës ka nisur të jetë më i hapur me median. Madje prokurorja Elisabeta Imeraj tha se është e hapur ndaj pyetjeve, “pasi këtu nuk jemi për të thënë atë që ne duam të themi”, por mund të pyesni.
Prokurorë, përfaqësues të SHÇBA dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kanë dalë në një deklaratë për mediat ku bën të ditur se janë arrestuar pesë punonjës për shpërdorim detyre dhe 6 të tjerë janë pezulluar nga detyra, pasi kanë futur mjete kontrabandë.
Prokurorja e çështjes Mirela Cano Zavalani bëri të ditur se bëhet fjalë për arrestimin e një personi i cili sillte mjete në Shqipëri duke shmangur detyrimet doganore.
Për këtë rast janë arrestuar edhe katër punonjës policie të cilët ishin bërë pjesë e këtij aktiviteti kriminal.
Bëhet fjalë për Arben Grabovarin i cili brenda dy viteve rezulton se ka hyrë 53 herë me makina me targa të huaja në Shqipëri, duke shmangur detyrimet doganore. Dëmi i llogaritur është 4 milionë e 500 mijë lekë, pa llogaritur penalitetet përkatëse. Nga këto mjete, Grabovari, i cili ka dhe nënshtetësi greke, kishte zhdoganuar vetëm pesë.
