Një ditë pas kreut të shtetit sot në Prokurori pritet të dëshmojë kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Duke iu referuar burimeve, Dvorani është ftuar të paraqitet në orën 10:00 të paradites në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë dëshmi pritet të japin edhe anëtarë të tjerë të KED-it.
Në reagimet publike, kreu i KED-it i ka quajtur akuzat ndaj tij si të pambështetura dhe ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë shkelje. Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, e ka konsideruar padinë dhe mënyrën se si ishte bërë publike një shantazh.
Kallëzimi, thotë Ardian Dvorani, bazohet në të pavërteta dhe sjellje që nuk janë kryer prej tij.
Më tej, kreu i KED-it thotë se asnjë sjellje e tij, qoftë edhe të pavërtetat e pretenduara nga Presidenti, nuk përbëjnë vepër penale dhe as ndonjë shkelje tjetër.
“Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallëzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve, të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai”, shkruante Dvorani disa javë më parë.
