Aktualisht, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës po merret në pyetje bashkëshorti i ministres Besa Shahini, Dardan Molliqaj, anëtar i Partisë Socialdemokrate.
Po kështu, disa minuta më parë, një deklaratë ka dhënë edhe deputeti i VV-së, Haki Abazi. Prania e tyre në prokurori lidhet me atë që ndodhi mbrëmë pas përfundimit të emisionit ‘Pressing’, me Leonard Kërqukin. Deputeti i VV’së, Haki Abazi pas përfundimit të emisionit deklaroi se u sulmua fizikisht nga Molliqaj i PSD’së.
Ndërkohë Prokuroria e Prishtinës ka marrë një grumbull provash e dëshmitarësh për ta zbardhur këtë rast. Debati mbrëmë në Pressing nisi dhe përfundoi me polemika të ashpra mes Abazit dhe Molliqajt. Fillimisht Molliqaj nuk po e pranonte Abazin si përfaqësues të VV’së, duke thënë se ai është ‘profiter e servil’.
Abazi nga ana tjetër po e quante Molliqajn ‘tradhtar të votës së popullit’. Debati mes tyre degjeneroi aq sa u përmendën anëtarë të familjes njëri-tjetrit.
Pas përfundimit të debatit, Abazi gjatë ndërprerjes së emisionit është kthyer në studio dhe ka thënë se e ka sulmuar Molliqaj dhe shoqëruesi i tij.