Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha.
Gjatë takimit Zingraf ka thënë se mbështesin ngritjen e institucioneve sa më shpejt të jetë e mundur duke shtuar se është me rëndësi reformimi i sistemit të drejtësisë në vend.
Pas bisedës së tij me zonjën Vitore Tusha, Kryetaren aktuale të Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ambasadori Peter Zingraf tha:
“Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptareve dhe shqiptarëve në institucionet e tyre. KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm. Znj. Tusha solli në vëmendje rëndësinë e opinionit të Komisionit të Venecias për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Unë shpresoj se me plotësimin e vendeve të tjera të rivendoset mundësisht menjëherë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese. Ky është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE. Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë edhe më tej në fushën e reformës në drejtësi.“
