Drejtuesja e Prokurorisë së Apelit të Korçës, Irma Balli nuk e ka kaluar procesin e vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot shkarkimin e saj. Më herët, në seancën dëgjimore të 15 shkurtit ajo u përball me dyshime për mungesë të burimeve financiare, fshehje të pasurisë dhe shmangie të taksave.
Problem, sipas relacionit të lexuar nga komisioneri Olsi Komici, është bërë një biznes privat në Korçë, në bashkëpronësi me persona të tjerë, ku u ngritën pikëpyetje në lidhje me vlerën e investimit fillestar. Apartamenti i bashkëshortit dhe dyshime se nga kontrata e qiradhënies nuk janë paguar tatimet në disa raste.
Sipas relacionit, hetim i thelluar ishte kryer mbi karburantin, ku për vlerën e investimit fillestar për ndërtimin e karburantit, prokurorja ka deklaruar se ka kontribuuar me 1 milion lekë nga kursimet dhe të ardhurat nga puna e bashkëshortit si emigrant në Greqi. Investimi nga babai dhe vëllai ka qenë 3 milionë e 500 mijë lekë.
Babai ka pasur të ardhura nga i ati i tij, i cili ka qenë emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ka ndërruar jetë. Ndërsa vëllai kishte kursime nga puna si emigrant në Greqi.
Ndërkohë, bashkëpronarja tjetër, motra e subjektit, ka kontribuuar me 1 milion lekë. Sipas KPK-së, prokurorja dhe personat e lidhur me të, bashkëpronarët e tjerë, nuk arrijnë të justifikojnë me mjete ligjore të ardhurat e deklaruara për investimin në këtë karburant.
TAKSAT
Mbi të ardhurat dhe detyrimet tatimore për dhënien me qira të karburantit, sqarojmë si më poshtë: përmbushja e kontratës së qirasë me shoqërinë K.D., sipas dokumentacionit të administruar nga bankat e nivelit të dytë, rezulton se pagesat e qirasë së muajit shtator 2011 në shumën 350 mijë lekë pagesë, është derdhur bruto, pa u mbajtur tatimi në burim. Pagesa e qirasë për muajt maj-qershor 2013, e cila është depozituar në bankë në gusht 2013, është derdhur bruto pa u mbajtur tatimi në burim.
PASURIA E BASHKËSHORTIT
Bashkëshorti ka deklaruar apartament banimi në Korçë, blerë për 6 milionë lekë në vitin 2014. Si burim krijimi, janë deklaruar 20 mijë euro kredi të marrë në vitin 2001, 600 mijë lekë përfituar nga shitja e një apartamenti në bashkëpronësi me familjen. 1 milion lekë të dhënë hua nga prindërit. 1 milion e 400 mijë lekë të ardhura nga kursimet.
Referuar hetimit, kemi të bëjmë me një deklarim të rremë për shumën 1 milion lekë të dhënë nga nëna, pasi ka mospërputhje të kohës mes kryerjes së transaksionit dhe dokumentacionit justifikues ligjor të paraqitur nga subjekti. Nga analiza financiare e kryer nga Komisioni për vitin 2004, rezulton se subjekti dhe bashkëshorti nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e kryera.
