Partia Demokratike i ka konsideruar si “lotë krokodili” reagimet e ministrave Lleshaj dhe Gjonaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të mos ta dënuar me burgim të përjetshëm, Dritan Dajtin, autor i vrasjes së katër punonjësve të policisë.
“3 ditë me vonesë, të shtrënguar nga presioni ndërkombëtar dhe revolta e opinionit publik, kukullat e Edi Ramës në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë u bënë pjesë e teatrit kriminal me aktor Dritan Dajtin dhe regjisor Edi Ramën. Lotët e krokodilit nuk e ndryshojnë dot faktin se vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, Dritan Dajti, është praktikisht i liruar nga drejtësia e re e Edi Ramës” – nis një deklaratë e Partisë Demokratike pas daljeve publike të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe atij të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Demokreatët thonë se shqiptarët mund të gënjehen njëherë, por jo përgjithmonë.
“Në vend që t’u besojnë kërcënimeve qesharake të eunukut të Ramës në Ministrinë e Brendshme, shqiptarët e dinë se karrigia e Edi Ramës është blerë nga votat e krimit të organizuar, i cili, fatkeqësisht, nuk luftohet dot me lotë krokodili” – shkruhet në deklaratën e PD.
Demokratët thonë se faktet janë kokëfortë pasi Edi Rama kishte nën kontroll Gjykatën e Lartë, kur ajo zhvlerësoi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe i hapi rrugë vendimit skandaloz që siguron lirinë e shpejtë të një prej kriminelëve më të tmerrshëm.
“Edi Rama, njeriu që përgojon gjithë Tiranën, heshti kur Gjykata e Lartë ndihmoi Dritan Dajtin, heshti edhe 3 ditë më parë, pas vendimit skandaloz për Dritan Dajtin. Në qeverisjen e Edi Ramës të gjithë bandat dhe kriminelët më të rrezikshëm janë lënë të lirë, që nga Hakmarrja për Drejtësi, Banda e Durrësit tek Banda e Lushnjës dhe trafikantët ndërkombëtarë të kokainës në Xibrakë” – thuhet në deklaratën e PD-së.
“Në vend të lotëve të krokodilit për një vendim të dirigjuar nga Edi Rama, Ministrja e Drejtësisë duhet t’i kërkojë prokurorisë që të zbardhë përgjimet nga burgu të Dritan Dajtit dhe t’u thotë shqiptarëve: Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti? Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës? Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë? Pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete, jo lojra fjalësh e mashtrime për shkarkime gjyqtarësh nga qeveria që ka në dorë të shkarkojë Vangjush Dakon, por vazhdon ta mbrojë atë për blerjen e votave në bashkëpunim me të ngjashmit e Dritan Dajtit” – thuhet në deklaratën e PD-së.