Partia Demokratike ka dalë kundër vendimit të qeverisë për Policinë e Shtetit, ku policët mund të ofrojnë shërbime shtesë kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publik ose privat si edhe eventeve të ndryshme. Në një deklaratë për mediat, Lisandër Hoxha tha se ky vendim është marrë pasi kryeministri Edi Rama ka për qëllim t’i kthejë policët në shoqërues të “klientëve” të tij. Për të ky vendim shkel integritetin e punonjësve të policisë.
“Pasi shpiku investitorë strategjikë të oborrit të tij, pasi u dha badihava pasuritë pubilke të shqiptarëve, Edi Rama do t’u vendosë në dispozicion edhe Policinë e shtetit. Me një vendim skandaloz, për ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, Rama e ka përdhosur edhe njëherë uniformën e policit shqiptar, duke i kthyer në çetë mercenarësh që mund të merren me qira nga të fortët, oligarkët dhe sharlatanët.
Ndryshimet ligjore parashikojnë që Policia e Shtetit, si të ishte orkestër dasmash, të pajtohet për afate të ndryshme kohore, deri në 3 muaj, për ruajtjen e personave fizikë e juridikë, publikë e privatë, si dhe eventeve, që nga koncertet, deri te panairet dhe aktivitetet sportive. Parashikohet gjithashtu që policët, me uniformë dhe me automjetet zyrtare, të shoqërojnë ata që quhen investitorë strategjikë apo dhe persona që konsiderohen në rrezik.
Partia Demokratike e dënon këtë shfytyrim të rolit të Policisë nga Edi Rama dhe e cilëson si, asgjë më pak se një atentat tjetër ndaj figurës, autoritetit dhe mitit të policit si personifikim i shtetit dhe ruajtës i rendit, sigurisë dhe qetësisë publike. Me këtë akt të ulët Edi Rama e kthen trupën e Policisë së shtetit në një kompani sigurimi fizik. Paloshteti i tij prek kështu fundin, kur vendos të japë me konçension edhe uniformën, armën dhe ekspertizën e policit. Një polici që, edhe në kontekstin aktual nuk i përmbush dot kushtet për ruajtjen e rendit, për arsye të aq mungesave e keqpërdorimit politik, do të ngarkohet me role që, jo vetëm dalin jashtë fokusit institucional, por edhe i shtojnë barrën.
Figura e policit, edhe kështu e nëpërkëmbur, do të shihet si roje objektesh, koncertesh apo të ashtuquajturish investitorë strategjikë. Nëse doni një ilustrim se si do të jetë policia pas këtij ligji, imagjinojeni si eskortë të Gaz Pajës, të cilin Rama e ka shpallur investitor strategjik. Ky vendim e bën Policinë e Shtetit që të ndërrojë hierarki dhe të ketë dy autoritete: shefat në zyrë dhe shefat në rrugë, që variojnë nga të fortët e deri te klientët e qeverisë në biznes. I bëjmë thirrje profesionistëve në Polici që të mos heshtin, por të ngrihen kundër këtij depersonalizmi, që u bëhet atyre individualisht dhe uniformës që përfaqësojnë. Me Edi Ramën në krye, shteti dhe të gjitha institucionet e tij janë në rrezik”.