Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Libani. Një 42-vjeçar mori peng për disa orë punonjësit dhe klientët në një bankë në Bejrut, pasi iu refuzua që ai të tërhiqte kursimet e tij prej rreth 200 mijë dollarësh.
Bassam al-Sheikh Hussein u fut në degën e bankës me një armë gjahu dhe një shishe me benzinë. Mes krizës, banka Federale ka vendosur kufizime në sasinë e parave që klientët mund të tërheqin nga kursimet e tyre.
Hussein e refuzoi një “jo” si përgjigje, duke kërkuar që banka ta lejonte të tërhiqte paratë e tij për të paguar faturën e spitalit për babain e tij të sëmurë, ndërsa mori peng të pranishmit në bankë.
Ai pranoi pasditen e së enjtes një ofertë nga banka për të marrë një pjesë të kursimeve të tij, sipas mediave lokale ai pranoi të merrte 30 mijë dollarë. Me dhjetëra njerëz u mblodhën jashtë bankës në mbështetje të pengmarrësit, duke e vlerësuar atë si një hero për qëndrimin e tij ndaj bankave gjatë krizës financiare që ka përfshirë vendin.