Ka shkuar në katër numri i të arrestuarve që akuzohen për përdhunimin e një vajze të mitur në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë. Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë.”
Dyshohet se janë pesë persona që kanë abuzuar me 11-vjeçaren, një ngjarje e rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik.
Më herët ishin arrestuar edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është i mitur, 16-vjeç.
11-vjeçarja u abuzua seksualisht në një park të qytetit nga dy persona që e ngacmuan teksa po ecte në rrugë. Më pas gjatë momentit që po kthehej në shtëpi, ajo u rrëmbye dhe u fut brenda një makine ku ndodheshin tre persona të tjerë.