Nëpërmjet skemës së sigurimeve të detyruara shoqërore edhe të gjithë vetëpunësuarit në bujqësi mund të sigurojnë një sërë përfitimesh, siç janë pensioni pleqërisë, ai invaliditetit, pensionin familjar, të ardhura për barrëlindje, si dhe shpërblimin për lindjen fëmijës.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, për të qenë përfitues të këtyre pensioneve dhe të ardhurave, çdo person që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror si i vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte: të ketë mbushur moshën 16 vjeç dhe të jetë i aftë për punë, sigurimi i detyruar mund të bëhet deri në mbushjen e moshës për pension, ndërkohë që fermeri nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë. Gjithashtu për të përfituar nga kjo skemë çdo fermer po ashtu duhet që të banojë në të njëjtin rreth ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale, si dhe të banojë në fshat megjithëse tokën mund ta ketë në rrethin fqinj.
Ekspertët e sigurimeve shoqërore kanë përcaktuar edhe procedurat që duhet të ndiqni, si dhe dokumentacionin që duhet për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi, dosje të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Pasi të bëni dorëzimin e dokumenteve në strukturën rajonale të sigurimeve shoqërore ku keni vendbanimin, inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”. Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare, ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese. Me posedimin e dokumentit “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” personi paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”. Këto dokumente në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në: Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë. Ndërsa në zonat fushore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethet Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë.
Autoritetet e ISSH-së sqarojnë se pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj. Ndërkohë që afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Për të bërë sigurim për periudha të kaluara, pagesa e kontributeve bëhet kundrejt masave aktuale, mbi të cilën aplikohen dhe kamatëvonesat përkatëse.
Dokumentacioni që duhet për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi:
- I vetpunësuari në bujqësi paraqet tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi të sigurimeve shoqërore këto dokumenta:
- Çertifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjëndjes civile.
- Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga Zyra e rregjistrimit të pasurisë së paluajtshme prane organeve te pushtetit vendor.
- Ose Akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (përshembull qiramarrje).
- Në çdo rast për sigurim të periudhave për vitin korent, si dhe për periudha të kaluara do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore dhe blegtorale.
Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
- Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.
- Fermeri që banon në zonat fushore, mbeshtetur ne VKM nr. 653, date 22.07.2015, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, duhet të derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38, 400 lekësh.
- I vetpunësuari në bujqësi që banon në zonat malore, mbeshtetur ne VKM nr. 653, date 22.07.2015, nga data 01.01.2015 e në vazhdim, duhet t’i derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29, 400 lekësh.
- Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.
- Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.
- Për të bërë sigurim për periudha të kaluara, pagesa e kontributeve bëhet kundrejt masave aktuale, mbi të cilën aplikohen dhe kamatëvonesat përkatëse.