Këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora ka reaguar pas videos e cila po qarkullon në të gjitha mediat online ditën e sotme, ku ajo shihet duke performuar me flamurin serb në dorë.
Në një deklaratë për mediat, këngëtarja ka sqaruar se flamuri i ishte dhënë nga një fans dhe nuk e ka ditur se cilit shtet i përket, duke shtuar se e ka kuptuar që flamuri ishte i Serbisë vetëm pasi ka dalë nga skena. Ajo theksoi se është shqiptare krenare dhe se qëllimi i saj nuk ishte të tregonte mungesë respekti ndaj popullit të saj.
“Mbrëmë gjatë performancës në Festival SZIN në Hungari, m’u dha një flamur nga një fans. Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo hungarez. Përderisa i mbështes të gjithë fansat e mi, nga të gjitha vendet dhe kulturat, dua ta bëj shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës, dhe nuk ishte qëllimi im të mos respektoja trashëgiminë time, ose të mërzisja popullin tim ose familjen time”, -thuhet në deklaratën e Ritës.
