Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, një nismë që synon përshtatjen e sipërmarrjeve shqiptare me standardet e Tregut Unik Europian.
Gjatë takimit me përfaqësues të komunitetit të biznesit, Rama deklaroi se qeveria nuk do të vendosë kufizime financiare për projektet e besueshme, duke theksuar se çdo sipërmarrje me plan serioz do të mbështetet financiarisht.
Ai bëri të ditur gjithashtu se është dyfishuar fondi për startup-et, pas rritjes së numrit të aplikimeve, ndërsa programi synon të përfshijë rreth 48 mijë biznese në mbarë vendin. Sipas tij, do të organizohen qindra trajnime, do të rritet certifikimi sipas standardeve të BE-së dhe do të përmirësohet konkurrueshmëria e sipërmarrjeve shqiptare.
“Ne nuk do të ndalemi te një kuotë financimi. Nuk do të ndalemi. Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje që do të paraqesë një plan të besueshëm që nuk do të mbështetet financiarisht. Një tjetër aspekt në këtë rrugëtim është aspekti i rritjes dhe fuqizimit të sistemit të startup-eve. Kemi dyfishuar fondin e financimit për të rinjtë që kanë aplikuar në programe. Aplikimet këtë vit kaluan mbi 1200, ne e dyfishuam financimin. U kemi thënë të rinjve që do ta rrisim financimin në mënyrë proporcionale me numrin e aplikimeve.
Çfarë synojmë ne me këtë program në aspektin e masës që do të prekë? Duam të informojmë 48 mijë ndërmarrje në gjithë vendin. Duam të ngremë një platformë të mbështetjes së biznesit. Do të na ndihmojë mbështetja e UNDP-së. Duam të organizojmë një cikël prej qindra trajnimesh, të rrisim certifikimin sipas standardeve të BE-së dhe, në fund, konkurrueshmërinë.
Kemi nevojë për dije. Sipërmarrja ka nevojë për dije. Ky proces po ashtu, mbi të gjitha, të gjithë bashkë kemi nevojë për informim.
Anëtarësimi në BE është që Shqipëria bëhet sa BE-ja dhe BE-ja bëhet sa Shqipëria. Nuk je më sipërmarrës brenda kufijve të Shqipërisë, por brenda BE-së.
Ne duam t’u japim kompanive sa më shumë elemente në dispozicion për të fituar sfidën. Ndërkohë që Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të përgatisë një website për këtë program dhe për t’i mbajtur të informuara sipërmarrjet.”, u shpreh Rama.
