Nga Mero Baze
Fatos Lubonja ka kërkuar që SPAK t’i bindet revolucionit. Në një farë mënyre, të zbatojë një axhendë që e “vendos” revolucioni në bulevard.
Deri tani SPAK ka boll probleme me politikën dhe jo gjithçka është në anën e SPAK-ut. Ka probleme me protagonizmin personal të ndonjë prokurori, që kthehet pastaj në problem politik; ka probleme me dilemat që ka ndaj veprave penale reale të Sali Berishës dhe kozmetikës së hetimit të tij, ashtu siç ka probleme edhe me paaftësinë e plotë të disa prokurorëve. Debati rreth tyre është në këto nivele.
Kjo kërkesë e revolucionit që SPAK të kthehet në organ të tyre dhe të marrë direktiva nga bulevardi se kush duhet të hetohet, kush duhet të burgoset, madje edhe se si duhet të hetohet, është një zhvillim i ri.
Deri tani, të gjithë ata që kanë vërejtje për SPAK-un i kanë për çështje konkrete dhe probleme konkrete të performancës së tij.
Kërkesa e revolucionit për SPAK-un është një hap më përpara. Ata i kërkojnë SPAK-ut të zbatojë axhendën e tyre.
Pra, gjithë reforma në drejtësi, që është në pikëpyetje nëse do të mbijetojë apo jo, e ka problemin se drejtësia është bërë e pavarur, por jo e aftë për të dhënë drejtësi. Tani këta të revolucionit kanë vendosur t’i heqin edhe pavarësinë dhe ta komandojnë vetë.
Dhe ka një arsye përse kërkojnë që SPAK-u të marrë axhendën e tyre dhe ta zbatojë.
Në fillim, kur protesta u maskua pas frymës qytetare, nuk i kishin këto kërkesa. Tani që protesta u kthye në identitetin e saj të vërtetë, e dominuar nga drejtues injorantë, shpeshherë edhe të çmendur, dhe të yshtur nga disa partiçka të vogla politike, që sa më të vogël e kanë shtatin, aq më të gjatë e kanë gjuhën e urrejtjes, revolucionarët kanë kuptuar se forca me të cilën donin t’i imponoheshin shoqërisë ka vdekur.
Dhe, me sa duket, e vetmja shpresë e tyre është ta kërcënojnë shoqërinë në emër të SPAK-ut, që të duken të fortë.
Në fillim kërcënonin me përmbysje, pastaj me rrahje, më vonë me kokra vezësh dhe tani, që të vazhdojnë të duken të fortë, po përpiqen ta paraqesin SPAK-un si organ të revolucionit.
Në të vërtetë, nëse donin ta përdornin SPAK-un për revolucionin, i kishin dhe i kanë të gjitha shanset, pasi SPAK-u, në ditën e katërt të protestave, bllokoi tokën në Zvërnec dhe çoi për hetim ish-pronarët për origjinën e dyshimtë të pronës.
Ndoshta ishte rastësi, por edhe nëse e kanë bërë qëllimisht për të mirën e revolucionit, e kanë bërë. Vetëm se revolucioni nuk kishte lidhje me Zvërnecin dhe as nuk e përdori fare punën e SPAK-ut.
Këta duan që SPAK-u të bëjë atë që thonë ata dhe jo që ata të përdorin punën që bën SPAK-u. Përfytyrimi i tyre për drejtësinë dhe SPAK-un është më i keq sesa ai i një kryetari fronti në kohën e komunizmit, ku drejtësi quhej ai gjyq që bëhej në kinoteatër për njerëzit që nuk u pëlqenin për shfaqje të huaja. Edhe atëherë, në emër të Shqipërisë së re, bëheshin.
