Mediat serbe i kanë kushtuar rëndësi përplasjes së Presidentit Ilir Meta me efektivët e Policisë Bashkiake, ngjarje e ndodhur paraditen e sotme, në zyrat e partisë Fryma e Re Demokratike. Konkretisht, Novosti.rs shkruan se kjo përplasje ka ardhur si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm mes Presidentit Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas medias serbe, Meta ka akuzuar agjencitë e zbatimit të ligjit se punonin ekskluzivisht në interes të Kryeministrit Edi Rama.
“KAOSI I PËRGJITHSHËM NË SHQIPRI: Presidenti Meta u përplas me policinë, duke arritur kulmin në një përplasje me Kryeministrin Rama. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u përplas me policinë, e cila u përpoq me forcë të hynte në ambientet e partisë Fryma e Re Demokratike, duke akuzuar agjencitë e zbatimit të ligjit se punonin ekskluzivisht në interes të Kryeministrit Edi Rama. Meta vuri në dukje se ai e konsideron përpjekjen e policisë shqiptare për të hyrë në mjediset e partisë si një grusht shteti. Zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë do të mbahen në 25 Prill,”– shkruan media serbe.
Mesditën e sotme një përplasje mes policisë bashkiake dhe zyrtarëve të partisë Fryma e Re Demokratike degjeneroi në grushta, shpulla dhe sharje. Në sherr u përfshi edhe presidenti Ilir Meta i cili u thirr për ndihmë nga kryetari Sali Shehu. Sherri nisi pas një letre nga bashkia Tiranë e cila njoftonte FRD se duhet të boshatiste zyrat. Shkak sipas bashkisë për kërkesën është fakti se godina është e amortizuar dhe se FRD nuk është pronare e godinës.
