Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ashpër kreut të PD-së Lulzim Basha lidhur me deklaratat e tij për menaxhimin e situatës nga tërmeti dhe pandemia.
“Parafolësit i mbetet ajo që i ka mbetur gjithmonë në fakt. Humbja. Humbja që e përgatit me duart, me gjuhën dhe qëndrimet e veta çdo ditë. E pra, mua fondet e BE-së Lulzim me pëlqejnë shumë dhe i jam shumë mirënjohës të gjithë partnerëve tanë që na ndihmuan dhe na ndihmojnë në këtë proces.
Atë fjalën hajdut që të ka mbirë në majë të gjuhës gëlltitet brenda, bëji gjuhës një kthesë në drejtim të ezofagut dhe herë tjetër kur nxjerr gjuhën këtu mate mirë kur flet për hajdutëri dhe hajdut dhe mate mirë kur tregon si shpërndahen paratë për lejen e ndërtimit në zyrën e bashkisë, mate mirë kur flet për rrathë të afërmish që merren me ndarjen e indulgjencave duke shfrytëzuar zyrën e kryetarit të bashkisë. Mati mirë këto e bëhu burrë një herë t ëpaktën. Të ka ardhur prapë rasti të bëhesh burrë po nuk po e shfrytëzon dot. Dhe sa për afër njerëzve nuk ma tregon mua ti”, tha Rama.
Ai vijoi duke thënë se arsyeja që Basha nuk fiton nuk janë kriminelët, po është vetë ai, sepse “Me këtë mënyrë të foluri nuk të beson askush. Ti gënjen veten tënde dhe mund të genjesh të tjerët për një farë kohe po ndrysho sa nuk është vonë. Unë jam këtu për të respektuar këtë institucion, këtë përgjegjësi që kemi marrë bashkarisht e për të të respektuar dhe ty me partinë tënde, po që është partia më e bukur e Lindjes”.
