Sfida eliminatore e Euro 2020-ës, Turqi-Shqipëri u arbitrua nga rumuni 39-vjeçar Ovidiu Hategan, i cili humbi kontrollin e takimit në 15 minutat e para, duke nxjerrë plot 4 herë kartonin e verdhë dhe në total 5 herë në pjesën e parë.
Ky arbitër, në më pak se një vit më parë, u bë protagonist dhe zuri faqet e para të mediave botërore, pasi vetëm pak orë pasi kishte humbur të ëmën, arbitroi takimin e Ligës së Kombeve Gjermani-Holandë, që përfundoi në barazim 2-2.
Në përfundim të takimit, Hategan shpërtheu në lot, ndërsa i pari që shkoi pranë tij për ta përqafuar dhe ngushëlluar ishte lideri i mbrojtjes së Holandës dhe Liverpoolit, Virgil Van Dijk, i cili zbuloi edhe prapaskenën më pas për mediat.
“Ishte një moment i vështirë të shihje atë njeri në lot, por kishte humbur të ëmën, ndërkohë që bëhej gati të startonte ndeshja. Mu desh ta ngushëlloja dhe t’i kujtoja se pavarësisht të gjithave, kishte arbitruar mirë”, tha Van Dijk atëherë.