Nga Ilir Yzeiri
Përse i shkulëm semaforët ?
Dhuna mbi institucionet publike e private, gjuajtjet me gurë e molotovë, zjarret në dyert dhe dritaret e godinave publike kanë mbetur të shenjuara thellë në vetëdijen tonë dhe tani, nëse ti del në Tiranë, përveç trishtimit të kap edhe një ndjenjë pesimizmi.
Pesimizmi dhe trishtimi nuk vjen aq nga disa xhama të thyer, nga dritaret e disa ministrive që tani në vend të xhamave janë mbërthyer me llamarina, jo, këto edhe mund të kalojnë dhe riparohen shpejt e madje janë si të thuash më të lokalizuara.
Ajo që të brengos është shkatërrimi i semaforëve. Nga kurioziteti, këto ditë pashë në internet dhe u përpoqa të informohem edhe për dëmet e shkatërrimet që janë bërë në protestat e zhvilluara në Francë apo Itali. Atje dëmtimet ishin edhe më të mëdha se te ne.
Në Francë, fjala, vjen, në një nga këto protestat e dhunshme, iu vu zjarri e u dogj edhe godina historike e bashkisë së Limozhit në Francë, e shek. XVII, por në asnjë rast nuk kam gjetur dhe nuk kam parë që të shkulen semaforët. Përse këtu te ne u sulmuan dhe u shkulën semaforët.
Nga vjen ky instinkt shkatërrimtar ? Semaforët bëjnë pjesë në kodin e shenjave jo verbale dhe janë mjete komunikimi. Semiotika i studion shenjat e qarkullimit rrugor që rrinë në semafore ashtu siç studion shenjat gjuhësore.
Ato shenja apo edhe shenjat e tjera joverbale e ndihmojnë një shoqëri që të komunikojë. Janë shumë të domosdoshme dhe po aq të nevojshme sa edhe gjuha. Nëse shenjat gjuhësore janë në gjuhën që ne flasim, pra në trupin e saj, shenjat e qarkullimit rrugor janë te semaforët. E në këtë kuptim semaforët janë si një libër, si një teskt. Janë po ashtu edhe universale, të pranuara nga të gjithë.
Gjëja e dytë që u mësojmë fëmijëve në shkolla pas alfabetit dhe pas gjuhës janë shenjat e qarkullimit rrugor, pra është ky libër e ky tekst, sepse pa njohur ato shenja fëmijët nuk e kanë jetën e sigurtë.
Nga kjo pikëpamje të sulmosh semaforët, të shkatërrosh sistemin e shenjave që rregullojnë komunikimin në një ambient qytetar do të thotë t’i bësh atentat gjuhës, komunikimit, është njësoj si të djegësh trupin e gjuhës. Kush mund të më thotë këtu se çfarë shenjueshmëri ka ky akt ? Çfarë lidhjeje kanë semaforët me qeverinë, me korrupsionin, me gjithë të zezat që mund të ketë bërë një qeveri që manifestuesit e dhunshemë duan ta rrëzojnë ?
Nëse ky instinkt për të shkatërruar gjuhën dhe komunikimin mes nesh në një hapësirë urbane na vjen nga brenda, atëherë ne nuk kemi përse të ankohemi për atentatet që mund t’i jenë bërë gjuhës sonë nga ata që nuk e duan këtë vend. Ne vetë kemi një instinkt vrasës ndaj hapësirës sonë të përbashkët. Semaforët apo sistemi i shenjave që rregullojnë qarkullimin rrugor janë ana më e rëdnësishme e menaxhimit të përbashëkt të hapësirës ku jetojmë.
Nuk jemi ne të vetmit që kemi nevojë për një kod shenjash që të orientohemi kur lëvizim. Gjithë bota e gjallë e ka një kod të tillë dhe e kanë të shenjtë. Nuk mund të ketë në historinë e asnjë vendi, njerëz që të sulmojnë gjuhën e tyre, kodin e tyre të qarkullimit.
Vetëm këtu nuk hyn asnjë lloj politike, sepse komunikimi është premisa e jetës, është kushti dhe arsyeja përse ne zgjohemi në mëgjes dhe përse ne dalim nga shtëpia. Imagjinoni për një çast sikur një ditë të gdhiheshim pa gojë, pa mundësinë për të folur e për të shkruar, pa mundësinë për të komunikuar.
Në atë çast jeta nuk do të mund të vazhdonte më. Ndaj askujt detri tani nuk i ka shkuar në mendje që të sulmojë gjuhën, mjetin e komunikimit dhe sistemin e shenjave. Edhe inteligjencia artificiale, edhe sulmet hibride kibernetike kanë shkuar deri te frogoriferët apo të dhënat e tjera, por askush nuk ka shkuar deri te sulmi mbi semaforët.
Këtë e kanë bërë vetëm shqiptarët që u derdhën në rrugët e Tiranës dhe i shkatërruan semaforët, e shkatërruan gjuhën e komunikimit.
Dhe ironia është se ata shqiptarë apo shqiptare që ishin të ndezura nga afshe të tilla dhune mbanin në kokë qeleshe, krahëve një flamur shqiptar dhe parrulla kryesore ishte që Shqipëria nuk shitet. Në fakt një Shqiperi pa gojë, pa gjuhë, pa shenja jo vetëm që nuk ta ble njeri, por ata që kanë pretenduar prej kohësh se ky popull ka në përbërje shqiptarë që e duan këtë vend të shkatërruar, kanë rastin të na tregojnë përsëri me gisht.
