Familja Ulaj dhuron 1 milion euro për familjet e prekura nga tërmeti. Përveç ndërtimin të 20 apartamenteve ku do të strehohen plot 20 familje që kanë mbetur në qiell të hapur, Bashkim Ulaj ka njoftuar se do të kontribuojë edhe me 1 mln euro.
“Vëllezërit, motrat, fëmijët tanë dhe unë Bashkim Ulaj kemi vendosur t’i gjendemi pranë njerëzve që i humbën të gjitha duke përcjellë 1 milion euro në fondin e solidaritetit shqiptar! Jam i vetëdijshëm se në peizazhin katastrofik që la tërmeti mbi territore të tëra të Atdheut tonë të dashur, duhen shumë më tepër se kaq.
Prandaj edhe urojmë dhe shpresojmë që edhe ky kontribut i yni, si i shumë të tjerëve deri tani, të vlejë si një nxitje më shumë që gjithkush të kontribuojë me sa ka mundësi. Ne nuk do të ikim nga ky vend dhe nuk do t’i ikim asnjë përgjegjësie sociale për këtë vend. Po mendojmë çfarë mund të bëjmë më tutje dhe po lutemi që Zoti të ndihmojë që Shqipërisë t’i kthehet buzëqeshja pas kësaj tragjedie krejt të pamerituar”, tha Ulaj.