Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për podcastin “Flasim”, reagoi për herë të parë ndaj pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, me vendim të GJKKO-s. Rama e cilësoi veprimin si një “absurditet të rrezikshëm”, duke theksuar se gjykatat nuk kanë kompetencë të ndërhyjnë në përbërjen e ekzekutivit.
Ai tha se pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe iu referua qëndrimeve të Komisionit të Venecias dhe Gjykatës së Strasburgut, të cilat sipas tij e konsiderojnë të papranueshëm pezullimin e një ministri nga gjyqësori, pasi cenon balancën e pushteteve dhe krijon rrezik për destabilitet institucional.
