Një pjesë e raketës Falcon 9 të kompanisë SpaceX, e cila kishte mbetur në orbitën hënore që prej vitit të kaluar, është përplasur me shpejtësi të lartë në sipërfaqen e Hënës.
Megjithëse konfirmimi përfundimtar i impaktit pritet pas analizave të mëtejshme, ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes diskutimet mbi menaxhimin e mbeturinave hapësinore dhe rrezikun e grumbullimit të objekteve të pakontrolluara në orbitë.
Objekti, me përmasa të ngjashme me një autobus shkolle dhe me peshë rreth katër tonë, ishte faza e dytë e një rakete Falcon 9, e cila në janar të vitit 2025 transportoi drejt Hënës një mjet të kompanisë Firefly Aerospace.
Sipas llogaritjeve të ekspertëve, pjesa e raketës është përplasur në kraterin Ajnshtajn, në anën e largët të Hënës, me një shpejtësi prej rreth 8.690 kilometrash në orë.
Zona e impaktit ndodhet larg vendit historik ku u zhvillua ulja e misionit Apollo 11, gjatë të cilit Neil Armstrong dhe Edwin “Buzz” Aldrin shkelën për herë të parë në sipërfaqen hënore. Për shkak se aktualisht nuk ka mjete orbitale në pozicion për të regjistruar drejtpërdrejt përplasjen, shkencëtarët po analizojnë imazhe nga teleskopë të specializuar për të identifikuar gjurmët e pluhurit të ngritur pas goditjes.
SpaceX ka sqaruar se përplasja ishte e paqëllimshme. Ndryshe nga misionet që rikthehen në Tokë dhe ku pjesët e raketave digjen gjatë hyrjes në atmosferë, misionet drejt Hënës kërkojnë më shumë shtytje, duke bërë që disa komponentë të mbeten në hapësirë si mbetje orbitale.
Ekspertët kishin parashikuar që në fillim të këtij viti se trajektorja e pjesës së raketës do ta çonte atë në mënyrë të pashmangshme drejt sipërfaqes hënore. Sipas Julianna Simon, menaxhere programi në SpaceX, ndikimi i forcave gravitacionale dhe aktivitetit diellor kontribuoi në ndryshimin gradual të trajektores së objektit.
Edhe pse përplasjet e tilla janë të rralla, si rasti i një rakete kineze në vitin 2022 apo impaktet e kontrolluara të NASA-s për qëllime kërkimore, ngjarja ka rihapur debatin mbi nevojën për menaxhimin më të mirë të mbetjeve hapësinore.
Diskutimi merr rëndësi të veçantë në një periudhë kur NASA po përgatitet për ndërtimin e një baze në Hënë dhe rikthimin e astronautëve në sipërfaqen hënore përmes programit Artemis, duke e bërë mbrojtjen e infrastrukturës hapësinore nga mbeturinat orbitale një sfidë gjithnjë e më të rëndësishme.
