Vijon megaoperacioni policor i koduar “Highway”, i iniciuar nga Policia italiane, që në vitin 2017, për shkatërrimin e një grupi kriminal për trafikimin e narkotikëve. Kjo fazë e megaoperacionit u finalizua si rezultat i shkëmbimit intensiv të informacioneve dhe veprimeve të përbashkëta operacionale, të Policisë së Shtetit me Policinë italiane.
Policia italiane ka lokalizuar në Milano dhe ka vënë në pranga, 3 shtetas shqiptarë që ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të këtij megaoperacioni.
Ndërkohë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit kanë gjurmuar dhe kanë sekuestruar në Durrës, pasuri të ndryshme, me vlerë mbi 1 milion euro që këta 3 shtetas dhe familjarët e tyre kishin në pronësi.
Si rrjedhojë e bashkëpunimit intensiv dhe të pandërprerë, të konkretizuar me skuadra të përbashkëta hetimore dhe me shkëmbim të informacioneve në kohë reale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale, të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kontribuan për finalizimin e një tjetër faze të megaoperacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “Highway”.
