Ka filluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë për Rudolf Nikollin, i arrestuar për plagosjen 5 personave te xhamia “Dine Hoxha” në Rrugën e Kavajës, në Tiranë.
Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën për “vepra për qëllime terroriste”. Sipas saj, Nikolli ka hyrë në ambientet e xhamisë dhe me një thikë ka goditur disa besimtarë. Menjëherë pas kësaj ai ka tentuar të largohet, por me ndërhyrjen e disa qytetarëve dhe më pas policisë, është ndaluar. Ngjarja është filmuar dhe nga kamerat e xhamisë.
I arrestuari, në dëshminë e tij, ka shpjeguar se ditën e ngjarjes ka hyrë në xhami dhe ka qëlluar personat. Si arsye, ai ka dhënë faktin se prej disa kohësh disa myslimanë e përndiqnin.
Prokuroria ka shkuar edhe në Spitalin Psikiatrik, ku ka marrë kartelën e tij shëndetësore, ndërkohë është marrë një tjetër vendim për akte-kspertim mendor ndaj tij.
Avokati mbrojtës pohoi se Nikolli ka pasur probleme të shëndetit mendor: “Vendosja e një mase arresti është e papërshtatshme. Masa duhet të jetë me afat, deri në daljen e aktit të ekspertimit”.
“Fakti që jam përndjekur është e vërtetë. Unë i njoh me fytyra. U bë gati një vit. Edhe shteti besoj se është në dijeni për këtë gjë. Unë nuk desha të bëj atë që bëra. Por ata më kanë ndjekur. Ilaçet i kam marrë, por kishte raste që i harroja”, tha Nikolli në gjykatë.
