Policia e Kavajës ka vënë në pranga 32-vjeçarin Kastriot Dema, i cili një ditë më parë plagosi me thikë ish bashkëshorten e tij, biznesmene italiane.
Por Dema është dërguar në spital për shkak të dhunës së pësuar nga dy shtetas të tjerë që kishin ndërhyrë në sherrin mes tij dhe ish të shoqes. Ndaj tyre ka nisur hetimi në gjendje të lirë.
NJOFTIMI
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. D., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” gjatë një konflikti për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij e cila u pajis me Urdhër të Menjëhershëm të Mbrojtjes.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasit G. B dhe F. V., pasi kanë ndërhyrë gjatë konfliktit nëpërmjet shtetasve të lartpërmendur duke goditur shtetasin K. D., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” në ngarkim të shtetasit K. D (i arrestuar) dhe për veprën penale “Plagosje e lehtë në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve G. B dhe F. V, të proceduar në gjendje të lirë.
