Lul Rakaj, autori i plagosjes së dyfishtë në Malësi të Madhe, ka deklaruar se Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj i kishin rrahur nipin para disa ditësh nipin 13-vjeç. Rakaj thotë se i ka qëlluar, pasi ka dyshuar se njëri prej tyre kishte armë me vete.
Plagosja ndodhi më 15 shtator, ndërsa Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj po hynin në një lokal në fshatin Vrakë në Malësi të Madhe rreth orës 09:45 të mëngjesit. Pranë tyre u afrua Lul Rakaj dhe fillimisht mes të treve pati debat, ndërsa vetëm pak çaste më vonë, Rakaj nxori armën dhe i qëlloi, duke i lënë të plagosur.
“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur, vetëm 13 vjeç. Di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, ka dëshmuar Rakaj në Policinë e Shkodrës.
Lul Rakaj iu përgjigj thirrjes për dorëzim, por disa herë tentoi të dilte nga rrethimi. Rakaj është personazh i njohur për drejtësinë. 13 vjet më parë ai vrau për hakmarrje në Hot të Malësisë së Madhe Kolë Mushkun, pasi më herët i kishte vrarë të atin.