Princi Andrew heqë dorë nga të gjithë titujt dhe nderimet mbretërore pas skandalit që lidhet me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein. Ish-Duka i York-ut, 65 vjeç, ka konfirmuar nëpërmjet një deklarate zyrtare se nuk do të përdorë më asnjë titull mbretëror, përfshirë edhe atë të Dukës së York-ut, që iu dha nga Mbretëresha Elizabeth II në ditën e dasmës së tij me Sarah Ferguson, më 23 korrik 1986. Ai ka hequr dorë gjithashtu edhe nga posti në Urdhrin e Garter, kalorësia më e lartë në Mbretërinë e Bashkuar.
Mbreti ashtu edhe Princi i Uellsit kanë shprehur dëshirën që Andrew të largohet nga kjo pronë, e cila ndodhet shumë pranë rezidencës së tyre të re, Forest Lodge. Për shkak të kontratës së tij “të hekurt”, kjo nuk është ligjërisht e mundur për momentin.
Në deklaratën e bërë publike përmes Buckingham Palace, Andrew u shpreh se akuzat ndaj tij po shpërqendronin vëmendjen nga puna e Mbretit dhe familjes mbretërore, dhe për këtë arsye kishte vendosur të bënte një hap më tej. “Me pajtimin e Madhërisë së Tij, nuk do të përdor më titujt apo nderimet që më janë dhënë. Siç kam thënë më parë, i mohoj me forcë akuzat kundër meje”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Lëvizja vjen pas një jave tensioni të lartë në pallat, që shpërtheu pas publikimit të email-eve të reja që faktonin se Princi Andrew kishte qëndruar në kontakt me Jeffrey Epstein më gjatë nga sa kishte deklaruar publikisht. Në një nga mesazhet e zbuluara, të dërguara në shkurt 2011, ai i shkruante Epstein: “Jemi në këtë së bashku… do ta kalojmë”. Akuzat ndaj Andrew janë ringjallur fuqishëm edhe pas zbulimeve të reja nga kujtimet e Virginia Giuffre, e cila ndërroi jetë në prill të këtij viti.
Në librin e saj, që pritet të publikohet të martën, ajo pretendon se është trafikuar për të kryer marrëdhënie seksuale me Andrew në tre raste dhe e akuzon atë se e konsideronte seksin me të si “të drejtë që i takonte nga lindja”. Familja e saj reagoi menjëherë pas lajmit se Andrew do të hiqte dorë nga titujt, duke e cilësuar këtë një “fitore për Virginia-n” dhe duke bërë thirrje që Mbreti Charles t’i heqë atij edhe titullin “Princ”.
Pavarësisht vendimit, vajzat e Andrew, Princesha Beatrice dhe Eugenie, do të mbeten zyrtarisht princesha, pasi janë tituj të lindur dhe nuk mund të hiqen. Ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, gjithashtu nuk do të përdorë më titullin “Dukesha e York-ut”, megjithëse nuk e kishte përdorur në mënyrë profesionale prej vitesh. Kjo nuk është hera e parë që Princi Andrew përballet me masa ndëshkuese nga familja mbretërore.
