Situatë e pazakontë te Barcelona, ku një prej lojtarëve të kësaj skuadre, Arthur Melo, ka vendosur që të mos paraqitet nën urdhërat e klubit dhe ka lajmëruar se nuk do të luajë më për katalanasit. Në fakt, mesfushori do të bëhet pjesë e Juventusit në edicionin e ardhshëm, por deri në mbyllje të sezonit aktual që përfundon me Ligën e Kampioneve, duhej të ishte pjesë e katalanasve të cilët vazhdojnë të paguajnë rrogën e tij.
Por lojtari që kur firmosi me Juventusin si pjesë e shkëmbimit me Pjaniç, është shfaqur pa dëshirë duke qëndruar në pankinë pasi Setien nuk e merrte më në konsideratë. Sot, erdhi edhe vendimi që dekreton luftën mes palëve. Pas javës pushim që Setien u kishte dhënë lojtarëve, të gjithë u kthyen për testet anti-koronavirus në ambientet e klubit. Të gjithë përveç Arthur, i cili nëpërmjet avokatëve të tij i dërgoi shkresë klubit ku i tregonte se nuk kishte më dëshirë të luante për të.
Një vendim që ka acaruar Barcelonën, pasi nuk e mendonte që situata do të shkonte deri në këtë pikë. Klubi është bërë gati të hedhë në gjyq brazilianin dhe të kërkojë dëmshpërblim, që do të pasojë një gjobë të majme para se ai të transferohet përfundimisht në Itali për të veshur fanellën bardhezi.
