Ka dhunuar dhe kërcënuar me vrasje bashkëshorten e tij, por është vënë në pranga nga policia.
Sipas burimeve zyrtare ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke i shkaktuar dhe dëmtime në trup.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur për tirananews.al se ka qenë një i afërm i tyre që ka parë skenën i cili ka lajmëruar menjëherë efektivët duke parandaluar kështu përshkallëzimin e ngjarjes.
Mësohet se çifti kanë fëmijë të mitur. Ndaj 39-vjeçarit rëndon akuza e dhunës në familje.
NJOFTIMI I PLOTE
Dibër
Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale brenda familjes.
Arrestohet në flagrancë një 39-vjeçar, pasi dhunoi dhe kërcënoi për vrasje bashkëshorten e tij.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes në kohë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. D., 39 vjeç, banues në Dibër.
Arrestimi i tij u bë pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, duke i shkaktuar dëmtime në trup dhe e ka kërcënuar se do ta vriste.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Dhunë në familje”, “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
