Po i mësonte makinën i fejuari, vdes në aksident adoleshentja. Një vajzë vetëm 18 vjeçe ka humbur jetën në një aksident të rëndë të ndodhur në Borsh, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.
Viktimë ka mbetur Analuiza Duro, 18 vjeçe, e cila ishte në vit të fundit në shkollën e mesme. Vajza adoleshente mësohet se ndodhej në makinë bashkë me të fejuarin e saj, Robert Dhuli, 19 vjeç kur ndodhi aksidenti.
Ndërsa po përpiqej t’i më sonte makinën të fejuarës, kjo e fundit ka humbur kontrollin e automjetit duke përfunduar në një kanal. Aksidenti i rëndë me një të vdekur, ka ndodhur pasditen e së premtes rreth orës 17:20 në vendin e quajtur mbi Shkallë në Borsh.
Dyshohet se vajza, ka qenë duke bërë guidë për të mësuar makinën në momentin kur mjeti ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një kanal kullues dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në momentin që makina ra në ujë, 19-vjeçari ka arritur të dalë, por e ka pasur të pamundur të shpëtojë të fejuarën, e cila për pasojë është mbytur. Pavarësisht se ai kërkoi ndihmë te banorët, të cilët njoftuan edhe Policinë dhe zjarrfikëset, për vajzën 18- vjeçare ishte shumë vonë.
Ngjarja ka tronditur banorët e Borshit, të cilët i njihnin të rinjtë, pasi vajza ishte nga Borshi, ndërsa Roberti nga fshati Fterre. Drejtuesi i mjetit Robert Dhuli është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprimet e mëtejshme procedurale.
Ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit. Mësohet se në gjendje të rënduar psikologjike për humbjen e së fejuarës, 19-vjeçari nuk ka qenë në gjendje të japë shpjegime mbi rrethanat e aksidentit.