Pakot me kokainë që i janë sekuestruar ish-kryebashkiakut Agim Kajmaku do të dërgohen në Ankona për t’u analizuar për të përcaktuar përqindjen e pastërtisë së drogës.
Mësohet se pasi i gjetën rreth 20 kg drogë, policia italiane ka kontrolluar shtëpinë e Kajmakut dhe nipit të tij të dy të arrestuar. Ish-kreu i bashkisë Vorë jeton me familjen në Monterubbiano, ndërsa nipi i tij jeton në Terra delle Aquile, ku punon si punëtor. Shtëpitë rezultuan të pastra si për xhaxhanë edhe për nipin, të cilët vazhdimisht përsërisin se nuk dinë asgjë për praninë e drogës në vazo.
Ndërkohë hetuesit vijojnë hetimet për të konstatuar se si ka mbërritur në fidanishte 18.8 kilogramë kokainë, të cilët ishin fshehur në vazot e bimëve që ishin blerë nga fidanishtja shqiptare.
Vetë Kajmaku bashkë me nipin e tij kanë mohuar çdo fakt që i përfshin ata me kokainën e gjetur në Itali.

