8 persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës gjatë 24 orëve të fundit. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Njëri prej të prangosurve është minoren dhe dyshohet se ka mashtruar një 43-vjeçar duke i marrë një shifër të majme prej 35 000 eurosh. Ndërkohë, një tjetër është arrestuar pasi gënjeu punonjësin e karburantit duke i bërë pagesën me para të falsifikuara.
Një tjetër person i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike” u vunë po ashtu në pranga me akuzën e dhunës në familje. Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë kapjen dhe ndalimin një 26-vjeçari, pasi më datë 09.03.2022, dyshohet se në një hotel, ka vjedhur një laptop dhe një shumë parash.
Pjesë nga njoftimi në fjalë i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. R., 40 vjeç, pasi nga punonjësit e Qarkullimit Rrugor, u kap duke drejtuar mjetin e tij, me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– A. D., 46 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, në gjendje të dehur;
– K. Xh., 38 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin e tij në gjendje të dehur, nuk i është bindur punonjësve të Qarkullimit Rrugor, për të ndaluar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
