Policia e Shtetit ka zbardhur kronologjinë e ngjarjes në Kavajë duke treguar edhe se si është vënë në dijeni për ngjarjen e abuzimit seksual.
Uniformat blu bëjnë me dije se në datë 29.01.2019, rreth orës 11:45 minuta është paraqitur në Komisariatin e Policisë Kavajë shtetasja e mitur e shoqëruar nga nëna e saj. Pas marrjes së garancisë absolute nga ana Policisë se do t’i ruhej anonimati vajzës, e ëma së bashku me vajzën pranuan të bënin kallëzim në lidhje me çfarë kishte ndodhur. Nisur nga mosha e mitur, u vu në dijeni Prokurorja e gatshme e Seksionit për të Mitur, pranë Prokurorisë Durrës, e cila me marrjen dijeni për këtë fakt, ka shkuar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë duke asistuar në të gjitha veprimet procedurale të kryera. Gjithashtu gjatë procedurës, të miturës iu sigurua pjesëmarrja e një avokati mbrojtës dhe një psikologe, në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur. Pas marrjes së kallëzimit, nga ana e Prokurores së gatshme u lanë detyra me shkrim, lidhur me veprimet, që do të kryheshin nga ana policisë në vijimësi. Në zbatim të detyrave të lëna dhe me qëllim dokumentimin ligjor të veprës penale, u janë marrë deklarime personave, që mund të kishin dijeni për ngjarjen: mësueses kujdestare, psikologes së shkollës e drejtoreshës së shkollës, si dhe u kryen një sërë veprimesh procedurale të tjera. U bë identifikimi i të gjithë shtetasve të dyshuar për këtë ngjarje dhe në datë 30.01.2019, rreth orës 08:40, (pasi bazuar në paragrafin 3, të nenit 77, të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, ndalohet marrja në pyetje e të miturit gjatë natës, nga ora 22.00 deri në 08.00) është bërë intervistimi i tyre, si persona nën hetim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal, duke u pyetur në prani të prindit, psikologut dhe avokatit mbrojtës. Gjithashtu me shtetasit e shoqëruar u kryen dhe veprime me metoda speciale të hetimit dhe materiali u dërgua për vlerësim pranë Prokurorisë. E dëmtuara u dërgua për ekspertim mjeko-ligjor pranë Mjekësisë Ligjore Tiranë, e shoqëruar nga shërbimi i Policisë. Në vijim të komunikimit me Prokuroren e çështjes, materialet e përpiluara u referuan pranë Prokurorisë Durrës, në Seksionin për të Mitur, në ngarkim të 8 të miturve si të dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale apo homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal. Në datë 01.02.2019, rreth orës 17:30, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kavajë, ka mbërritur urdhri i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, datë 01.02.2019, së bashku me shkurtimin e vendimit të Gjykatës. Për këta shtetas ishte marrë masa e sigurisë “Arrest me burg”. Nga ana e strukturave policore është organizuar puna dhe u morën masat për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Durrës, datë 01.02.2019, dhe në datë 02.02.2019, në orën 07:00 të mëngjesit, filluan veprimet për gjetjen e tyre. Si rezultat i masave të marra, u bë i mundur shoqërimi dhe arrestimi i 7 prej tyre, ndërsa 1 u shpall në kërkim.
