Policia e Tiranës ka marrë ankesa nga qytetarë për zhurmat që shkaktonin lokalet në ish-Bllok dhe për këtë ka bërë një inspektim. Për rrjedhojë, ka nisur hetimi ndaj dy pronarë lokalesh dhe janë sekuestruar pajisje muzikore të tyre.
Gjithashtu ndaj tyre është vendosur dhe masë administrative prej 1 milionë lekësh.
NJOFTIMI I PLOTE
Tiranë
Vijojnë kontrollet e shtuara nga Policia e Tiranës, ndaj subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.
Procedohen penalisht dy administratorë lokalesh, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Sekuestrohen disa pajisje muzikore të lokaleve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bazë të ankesave të bëra nga qytetarët për dy subjekte që nuk zbatonin protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijonin aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike, kanë organizuar punën dhe gjatë inspektimit në zonën e ish-Bllokut, kanë konstatuar dy subjekte (lokale) që nuk respektonin masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vendosnin muzikë të lartë, tej normave të lejuara.
Në vijim të veprimeve u bë shoqërimi dhe u proceduan penalisht dy administratorët e lokaleve, shtetasit: D. S., 25 vjeç dhe A. P., 20 vjeç.
Për subjektin në administrim të shtetasit D. S. u vendos masë administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientet e këtyre lokaleve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
