Policia ka përfunduar ekspertizën në lidhje me aksidentin tragjik të dy ditëve më parë në Berat ku humbën jetën 25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj me të birin e saj 6-vjeçar. Makina, me të cilën ata udhëtonin përfundoi në lumin Osum duke mos i dhënë asnjë shans nënës dhe fëmijës që të shpëtonin.
Specialisti i Qarkullimit Rrugor, i cili ka edhe detyrën e OPGJ-së, Lorenc Tanushi bën me dije për ABC se shkaku i aksidentit ka qenë “humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi, shoqëruar me manovrime majtas-djathtas”. Sipas tij, kjo sjellje është tipike për shoferët e rinj, ashtu siç ishte 25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj.
Mësohet se shoferja kishte vetëm një muaj që ishte pajisur me leje drejtimi dhe më pas bashkëshorti i kishte dhuruar një fuoristradë tip “Mercedes Benz-ML”.
Aksidenti ndodhi gjatë orëve të paradites së ditës së hënë, teksa Klaudia Xhaferaj kishte edhe djalin në makinë. Nga pamjet duket se ajo bëri një parakalim të gabuar në kthesë, ndërkohë që përballë kishte një kamion. Në tentativë për të shmangur përplasjen me kamionin, drejtuesja e mjetit humbi kontrollin duke rënë në lum. /abcnews.al
