Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu gjatë një takimi me kryetarët e bashkive Dibër, Mat, Bulqizë e Klos, drejtuesit e zyrave vendore të arsimit e zyrtarë të Policisë së Shtetit ka kërkuar angazhim konkret dhe masa efikase për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Duhen marrë masa për sigurinë rrugore në afërsi të shkollave, dezinfektimin e të gjitha ambjenteve, sigurimin e ujit të pijshëm, shpërndarjen e librave, zgjidhjen e problemit të transportit të nxënësve e mësuesve, miratimin e dietës ushqimore në kopshte e çerdhe, emërimin e mësuesve, sigurimin e mjeteve mbrojtëse nga zjarri, frekuentimin e shkollave profesionale, etj”, nënvizoi Prefekti Shehu.
Drejtuesit e pushtetit lokal dhe përgjegjësit e ZVA-ve informuan Prefektin e Qarkut Dibër për gjendjen e shkollave, kopshteve, çerdheve, numrin e nxënësve, problemet e evidentuara, punën e bërë gjatë kësaj periudhe për lyerjen, meremetimin dhe kompletimin e shkollave me bazë materiale.
Zyrtarë të Policisë Dibër u shprehën se janë marrë të gjitha masat për sigurimin e rendit e qetësisë në shkollat e Matit, Dibrës e Bulqizës. Sipas tyre janë siguruar informacione të sakta për çdo shkollës dhe po merren masat e duhura për vijimin normal të mësimit në të gjitha shkollat e Qarkut Dibër.