Ripërsëritje të testit nuk do të ketë. Absolutisht jo. Një rishpërndarje pikësh edhe mundet. Unë e di si do jetë fundi. Por ata që merren me statistikë e kanë kuptuar trendin me aq sa janë vlerësuar. Por do shikojmë nëse ndonjë pyetje ka vështirësi. Dhe do kemi ulje pragu të pikëve për notat”- Kështu është shprehur Rezana Vrapi, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, lidhur me protestën e bërë nga maturantët për provimin e matematikës, ku pretendohej për vështirësi në pyetje.
Me tej zonja Vrapi e ftuar në “Radarin Informativ” ka theksuar se deri më tani janë korrigjuar rreth 8 mijë testime dhe nga të cilat ka pasur disa nxënës të cilët e kanë zgjidhur 100% testimin. Ajo ka shtuar se ulja e pragut të pikëve për notat, bëhet vetëm pas rezultateve përfundimtare ku do të analizohet nëse testi ka qenë më i vështirë nga pritshmëritë. Sipas saj nëse ka 25% të nxënësve që e kanë zgjidhur 100% testimin, nuk ka asnjë arsye se pse të ulet pragu i pikëve.
