Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet ndaj shtetit grek për tragjedinë e ndodhur mesnatën e kaluar, ku si pasojë e përplasjes së dy trenave humbën jetën 32 persona dhe disa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
“I tronditur nga tragjedia e përplasjes së trenave në Greqinë fqinje. Ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave dhe u uroj të mbijetuarve shërim të shpejtë. Shqipëria dhe unë qëndrojmë krah Greqisë”, shkruan Begaj në një postim në Twitter.
Një tragjedi e madhe ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Larisa të Greqisë, ku pas përplasjes së dy trenave kanë mbetur të vdekur 32 persona dhe janë plagosur 85 të tjerë.
“Nuk dihet ende nëse ka shqiptarë mes viktimave dhe të plagosurve nga përplasja tragjike e dy trenave në Greqi”,-tha kreu i komunitetit shqiptar në Greqi, Luan Zyka. Ai tha se nga informacionet paraprake mësohet se në tren ishin shumë studentë që ktheheshin në Selanik.
