Presidenti amerikan Joe Biden mbërriti sot pasdite në Arabinë Saudite, ku u takua me Mbretin Salman dhe princin e fuqishëm të kurorës Mohammed bin Salman.
Avioni presidencial u ul në Jeddah, në Arabinë Saudite perëndimore, nga Izraeli – fluturimi i parë direkt nga ai vend në një kohë kur Uashingtoni po kërkon të normalizojë marrëdhëniet midis dy partnerëve të tij më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan, i veshur me syze dielli, nuk u prit në aeroport nga homologët e tij, por nga sundimtari i Mekës, Princi Khaled al-Faisal dhe Princesha Rima Bandar al-Saud, ambasadori saudit në Uashington. Megjithatë, pak minuta më vonë, ai shkoi në pallat ku u prit me një “grusht” (siç janë mësuar shumë liderë për shkak të pandemisë) nga princi i kurorës 36-vjeçar dhe me një shtrëngim duarsh nga mbreti Salman.
Pas takimit me mbretin Salman, Biden do të zhvillojë bisedime me Princin Mohammed për një sërë çështjesh nga nafta te armët. Zyrtarët amerikanë thanë më herët se presidenti amerikan do të ngrinte gjithashtu çështjen e të drejtave të njeriut.
Takimi i Biden me princin e kurorës është pika kryesore e këtij turneu në Lindjen e Mesme, teksa SHBA-ja përpiqet të bindi Arabinë Saudite të hapë çezmat e prodhimit të naftës. Synimi është ulja e çmimit të benzinës me afrimin e zgjedhjeve afatmesme në SHBA në nëntor.
Kur ishte ende kandidat për presidencën, Biden kishte deklaruar se do ta bënte Arabinë Saudite një “pari” të botës, kryesisht për shkak të vrasjes, në vitin 2018, të gazetarit Jamal Khashoggi brenda konsullatës së vendit në Stamboll. Kur u zgjodh, ai deklasifikoi një raport të inteligjencës mbi përgjegjësitë e princit të kurorës në këtë rast.
Pak para mbërritjes së Biden në Jeddah, u bënë dy njoftime: Izraeli tha se nuk kishte “asnjë kundërshtim” për t’i dorëzuar dy ishuj të Detit të Kuq Arabisë Saudite, e cila nga ana e saj hapi hapësirën e saj ajrore për “të gjithë transportuesit”, përfshirë ato izraelite – një vendim që presidenti amerikan e quajti “historike”.
Këto dy veprime, sipas analistëve, mund të hapin rrugën për një afrim të mundshëm midis Arabisë Saudite dhe Izraelit. Në fund të fundit, Izraeli normalizoi marrëdhëniet e tij, në vitin 2020, me dy nga aleatët e Riadit: Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.
“Është hapi i parë”, tha kryeministri izraelit Yair Lapid, duke falënderuar Arabinë Saudite për vendimin e saj.
Nesër të shtunën, Biden do të marrë pjesë në një takim të liderëve të monarkive arabe të Gjirit.