Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, vizitoi qytetin e Beratit.
Me anë të një postimi në Facebook, ambasada gjermane shkruan se presidenti Steinmeier gjatë vizitës pati mundësinë që të njohë nga afër historinë dhe kulturën shqiptare dhe të krijojë një përshtypje mbi shtrirjen e Bashkëpunimit gjermano-shqiptar për Zhvillim.
Xhamia Mbret dhe Teqeja e Helvetive ishin ndalesa e parë në qendrën historike të qytetit; ata vizituan më pas edhe Kalanë e qytetit.
“Nuk mund ta imagjinoja një mbyllje më të mirë të udhëtimit tim në Ballkanin Perëndimor se të vizitoja qytetin e mrekullueshëm të Beratit. Faleminderit për ushqimin e mrekullueshëm dhe mikpritjen tuaj fantastike”, shkruan presidenti gjerman në librin e përshtypjeve të restorantit ku drekoi.