Ditën e sotme, Komisioni i Ligjeve po zhvillon një mbledhje e cila nisi prej orës 09:00 dhe ka në fokus raundin e parë të përzgjedhjes së Presidentit të ri.
Siç dihet tashmë, ky raund u dogj pasi të dyja palët, maxhoranca nga njëra anë dhe opozita nga krahu tjetër nuk kanë propozuar asnjë emër.
Lidhur me këtë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh se përgjegjësia për dështimin rëndon mbi maxhorancën. Sipas tij, opozita ka bërë të qarta qëndrimet e saj dhe sipas tij, duhet të vijohet në atë drejtim.
“Është e qartë që në këtë raund të parë nuk do të ketë kandidaturë. Këto mbledhje nuk janë rutinë, për të parë vetëm letrat. Është pjesë e një procesi, sa institucional aq edhe politik. Komisioni i Ligjeve luan rolin e saj. Përfitoj t’ju bëj me dije se cili është qëndrimi politik i PD. Nga ana jonë është bërë me dije që ky proces duhet të përmbushë dhe plotësojë disa kritere, për t’i dhënë shqiptarëve njeriun e tyre, kryetarin e shtetit. Për të dalë nga tradita jo gjithmonë e shëndetshme në përzgjedhjen e presidentit, përpara se të arrihet në një produkt të tillë ne kemi disa detyrime. Duhet të krijojmë një proces në sy të parlamentit. Do të duhet që mes palëve politike të jenë disa qëndrime që në realitet të krijohet në thelb. Qëndrimi ynë është bërë i ditur. Kushtetuta e Republikës përcakton që ky proces të zhvillohet në bazë institucionale.
84 vota përcaktojnë që opozita të ketë rol substancial. Maxhoranca si ka numrat dhe legjitimitetin për të vazhduar në mënyrë të njëanshme në përzgjedhjen e presidentit. Ne presim qëndrim nga maxhoranca. Jeni ju për zgjedhjen e presidentit sipas frymës së Kushtetutës? Ky dështim i këtij raundi të parë, nuk do të doja të bëja provokim, por qëndron mbi supet tuaja. Ju duhet të mbani një qëndrim. Përgjërimet e bëra nga përfaqësuesit më të lartë tuaj duken që kanë qenë farsë. Ne jemi gjithmonë në pritje të qëndrimit tuaj, për të parë se çfarë produkti do të dalë”, tha Alibeaj.
