Ditën e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë dështoi për të zgjedhur në raundin e parë presidentin e ri të Republikës. Seanca plenare e mbajtur dje në orën 17:00 zgjati vetëm 3 minuta, pasi u konfirmua se nuk është regjistruar asnjë kandidaturë nga palët politike.
Bazuar në Kushtetutën e vendit, ky quhet si një raund votimi i ezauruar pavarësisht se s’pati asnjë kandidat për t’u votuar. Në këtë situatë, tashmë pritet të vijohet me raundet e tjera.
Paraprakisht duhet përcaktuar një datë të re për raundin e radhës dhe për këtë do të ketë sot një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, e cila do të nisë në orën 10:00. Raundi i dytë, duhet të jetë brenda 7 ditësh, pra deri më 24 maj.
