Pas betimit, Presidenti i ri, Bajram Begaj ka nisur fjalimin në Kuvend.
“Për mua është nder t’i drejtohem Kuvendit si President. Faleminderit për besimin. Më rëndon përfaqësia e unitetit kombëtar dhe aspiratave të qytetarëve. Kjo përgjegjësi vjen në një moment historik për vendin tonë. Shqipëria evropiane, sot premtim, nesër realitet. Shqipëria evropiane është e Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës, e Ismail Qemalit. Eshtë testamenti i historisë dhe bekimi i së ardhmes. Jemi ulur në tryezën e dialogut për të prodhuar denjësinë si shtet. Unë e njoh, e mbështes dhe respektoj punën e qeverisë. E njoh, e mbështes opozitën dhe vlerat. Por do të doja të mos kishte konflikt para bashkëpunimit. Do kryej mision mbi palët, por nuk do qëndroj neutral ndaj asnjërit që vendos interesat personale para kombit tonë“, tha Begaj në fjalimin e tij të shkurtër.
Begaj do të pasojë në këtë detyrë Ilir Metën, i cili u zgjodh si President i Republikës në vitin 2017.
Begaj u zgjodh President i ri i Republikës më 4 qershor, me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Ai u zgjodh President në raundin e katërt dhe erdhi si propozim i mazhorancës në pushtet.