Nga Mero Baze
E di që ka shumë zemërim dhe debat rreth vazhdimit të refuzimit të Presidentit Ilir Meta, për postin e Ministrit të Jashtëm. Të gjitha hamendjet që janë në lojë për këtë vendim të tij, kanë vendin e tyre, por Ilir Meta tani nuk është duke menduar se çfarë ka të drejtë, por si mund ta mbyll këtë histori pa kosto.
Ajo që e bën të pavendosur atë, është dilema nëse do të jetë më e lehtë për të të dekretoj shkarkimin e Ditmir Bushatit duke u zëvendësuar nga Edi Rama, apo të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndaj tre akteve antikushtetuese të tij, refuzimin për të dekretuar Lleshaj në bazë të bindjeve, refuzimin për të shkarkuar Bushatin në bazë të pëlqimeve dhe refuzimin për të emëruar Ministrin e jashtëm në bazë të perceptimeve.
Në fakt edhe pse bën sikur mendohet se kush është Ministri i Jashtëm, ai në fakt po mendohet se si ta tejkaloj shkeljen kushtetuese të mos dekretimit të shkarkimit të Ministrit të Jashtëm në detyrë Ditmir Bushati.
Ndaj përkundër reagimeve negative duket më e arsyeshme që Meta të mos dekretoj as Edi Ramën si ministër të Jashtëm, pasi në këtë moment do të pranoj dhe çertifikoj gjithë shkeljet kushtetuese që ka bërë.
Në këto kushte rruga më e mirë për të, është të presi vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndaj shkeljeve për të cilat është paditur dhe ta përdor atë moment për një akt politik. Deri atëhere Ilir Meta ka shansin ta mendoj se si do ti përgjigjet vendimeve të Gjykatës si President, apo si lider opozite.
Me gjasa skenari më I mirë për të është të përdor vendimet e Gjykatës kundër tij si shkak, për të lënë zyrën e presidentit dhe për tiu bashkuar opozitës, për të bërë një betejë pa kompromis me Ramën. Ky do të ishte një moment moment morali pozitiv për të, duke reaguar me dorëheqje si çdo president në botë, kur Gjykata i thotë që ke shkelur kushtetutën, dhe ndërkohë do të bënte punë si lider opozite, në këtë gjendje ku është katandisur opozita.
Dekretimi i mundëshëm I Edi Ramës si Ministër i Jashtëm do ta rëndonte atë njësoj si mos dekretimi i Cakaj, pasi shkelja bazë e tij qëndron tek mosdekretimi i shkarkimit të Bushatit dhe më pas tek hezitimet dhe refuzimet për emrin e ministrit të ri.
Ndaj ai nuk ka pse rrezikon duke qenë selektiv në këtë histori.
Gjykata Kushtetuese sipas gjithë gjasave do ta çertifikoj atë si shkelës kushtetute dhe ai duhet ta përdor këtë rast për një aksion të ri politik.
E vetmja pasiguri për të është ndoshta fakti se duke mos qenë president, mund të jetë më i prekshëm nga ndonjë rihapje dosjesh të vjetra nga drejtësia, por dhe kjo mund ti shërbej aksionit politik, pasi Meta ka dhënë prova që nuk trembet nga drejtësia. Ndaj është më mirë që kjo betejë e nisur nga zyra e Presidetit të përfundoj në rrugë kundër qeverisë. është më mirë se sa qeveria ta hedh atë në rrugë si shkelës kushtetute.