Gjermanët votojnë sot (23 shkurt) për të zgjedhur një parlament të ri, që do të përcaktojë se si do të udhëhiqet vendi në katër vjetët e ardhshëm. Ekonomia më e madhe e Evropës është vendi më i populluar i BE-së – me 27 vende anëtare gjithsej – dhe një nga anëtarët kryesorë të NATO-s. Gjithashtu, është furnizuesja e dytë më e madhe e Ukrainës me armë, pas Shteteve të Bashkuara. Qeveria e ardhshme e Gjermanisë do të jetë në qendër të përgjigjes së Evropës ndaj administratës së re të SHBA-së, të udhëhequr nga presidenti Donald Trump.
Presidenti federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i cili votoi mëngjesin e sotëm në një qendër votimi në Berlin. Ai falënderoi stafin zgjedhor dhe më pas u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime
“Përdorni të drejtën tuaj për të votuar, shkoni në votime dhe ndihmoni në përcaktimin e së ardhmes së vendit tonë. Votoni me bindjen se vota juaj mund të jetë vendimtare” tha presidenti Frank-Walter Steinmeier.
Bashkë me presidentin, votoi edhe bashkëshortja e tij, Elke Buedenbender.
Çfarë ndodh ditën e zgjedhjeve?
Vendvotimet u hapen në orën 8 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 18:00. Gjermanët mund të votojnë edhe me postë, por fletëvotimet e tyre duhet të mbërrijnë deri në kohën kur qendrat e votimit të mbyllen në ditën e zgjedhjeve, në mënyrë që të numërohen.
Menjëherë pas përfundimit të votimit do të dalin exit poll-et e para dhe do të nisë numërimi i votave. Tabloja e përgjithshme e rezultateve duhet të jetë e qartë shumë shpejt.Rezultati përfundimtar zyrtar, ndërkaq, pritet të hënën herët.
Kush janë kandidatët për kancelarin e ardhshëm?
Për kancelar të ardhshëm të Gjermanisë konkurrojnë katër kandidatë: kancelari aktual, Olaf Scholz, nga Social-Demokratët e qendrës së majtë; Friedrich Merz, kandidat i partisë kryesore konservatore, Unioni Demokristian; zëvendëskancelari aktual, Robert Habeck, nga Të Gjelbrit, dhe Alice Ëeidel e partisë së ekstremit të djathtë, Aleternativa për Gjermaninë (AfD).
Sondazhet parazgjedhore e nxjerrin Unionin e Merzit në krye, me rreth 30 për qind të votave, ndërsa AfD-në të dytën me rreth 20 për qind. Social-Demokratët e Scholzit dhe Të Gjelbrit e Habeckut janë më mbrapa.
Merz është favorit për ta zëvendësuar Scholzin si kancelar, por nuk është ende e qartë se cilat koalicione qeverisëse do të jenë të mundshme pas zgjedhjeve. Se sa lehtë do të jetë të formohet qeveria e re, do të mund të varet pjesërisht edhe nga numri i partive në parlamentin e ri.
Të gjitha partitë kryesore thonë se nuk do të punojnë me AfD-në,partinë e ekstremit të djathtë.
Kandidatët për kancelar
Friedrich Merz – Kandidat i CDU – CSU, parti e qendrës së djathtë
Olaf Scholz – kandidati i SPD partia Social Demokrate e qendrës së majtë (SPD)
Robert Habeck – Kandidati nga Të Gjelbrit, parti me fokus ambjentin e klimën
Alice Ëeidel – Kandidatja e Aleternativa për Gjermaninë (AfD), parti e ekstremit të djathtë
Kush dhe për çfarë voton?
Së paku 59.2 milionë njerëz nga 84 milionë sa ka Gjermania gjithsej, kanë të drejtë të votojnë për Bundestagun e ri, ose Dhomën e Ulët të Parlamentit. Numri i ulëseve në Bundestag I cili zgjedh dhe kancelarin e ardhshëm është zvogëluar nga 736 në 630, pas reformës elektorale të vitit 2023.
Në fletëvotim janë 29 parti, por gjasat janë që pesë deri në tetë prej tyre të marrin vota të mjaftueshme për të fituar ulëse në parlament. Sistemi zgjedhor është proporcional i përzier, ku çdo votues ka dy vota: një për kandidatët lokalë dhe një për partitë, duke përcaktuar shpërndarjen e mandateve. Për të hyrë në parlament, partitë duhet të kalojnë pragun e 5%.
Kush kryeson garën sipas Sondazheve
Sipas sondazheve, Unioni Kristiandemokrat (CDU/CSU), i udhëhequr nga Friedrich Merz, kryeson me rreth 32% të mbështetjes dhe pritet të marrë postin e kancelarit. Në vend të dytë renditet partia e ekstremit të djathtë AfD me rreth 20%, ndërsa SPD-ja e kancelarit aktual Olaf Scholz ka rënë në 14.5%, krahasuar me zgjedhjet e 2021. Partitë e tjera kryesore përfshijnë të Gjelbrit (rreth 13-14%) dhe Liberalët (FDP), të cilët rrezikojnë të mos kalojnë pragun e 5%.
Çfarë ndodh pas mbylljes së qendrave të votimit?
Sistemi zgjedhor i Gjermanisë rrallëherë i jep ndonjë partie shumicën absolute dhe sondazhet e opinionit sugjerojnë se, kësaj here, asnjë parti nuk është as afër asaj. Vendi nuk ka traditë të qeverive të pakicave në nivel kombëtar, që do të thotë se dy ose më shumë parti – me shumë gjasa – do të hyjnë në koalicion.
Nuk ka asnjë arbitër formal për procesin e formimit të qeverisë së re dhe nuk ka as afat të caktuar kohor. Palët zhvillojnë bisedime për të përcaktuar se me kë kanë gjuhë më të përbashkët dhe një kombinim i partive, më pas, kalon në bisedime formale për koalicionin. Këto negociata, zakonisht, prodhojnë një marrëveshje të detajuar koalicioni, që i përcakton planet e qeverisë së re.
Marrëveshja, pastaj, ka nevojë për miratimin e së paku konventave të partive të përfshira. Disa parti mund të zgjedhin që ta vendosin atë në një fletëvotim para të gjithë anëtarëve. Pasi të përfundojë ky proces, Bundestagu mund të zgjedhë kancelarin e ri.
Kush janë skenarët e qeverisjes
Në varësi të rezultateve, qeveria mund të formohet përmes këtyre kombinimeve:
1- Koalicioni i Madh mes CDU/CSU dhe SPD, që është skenari më i mundshëm.
2- Aleancë CDU dhe të Gjelbrit, por kjo varet nga numri i partive që kalojnë pragun.
3- Koalicioni “Kenia” (CDU, SPD, të Gjelbrit) nëse asnjë opsion tjetër nuk siguron shumicë.
4- Koalicioni “Gjermania” (CDU, SPD, FDP), por mbetet i pasigurt për shkak të dobësisë së Liberalëve.
Pasojat politike
Një qeverisje me tre parti shihet me skepticizëm, duke pasur parasysh dështimin e koalicionit të Scholz. Nëse AfD mbetet e vetmja opozitë e madhe, kjo mund t’i japë më shumë peshë politike dhe ta fuqizojë atë në afatgjatë.
Lideri i CDU/CSU, Friedrich Merz, ka premtuar formimin e qeverisë deri në Pashkë, por nëse do të ketë negociata të gjata, procesi mund të zgjasë me muaj, siç ndodhi në vitin 2017 kur Angela Merkel formoi qeverinë pas gjashtë muajsh bisedimesh. Kohë e gjatë përballë Trump.
Çfarë sfidash priten?
Gjermania mban zgjedhje të parakohshme për Bundestagun pas një krize politike që çoi në shpërbërjen e qeverisë dhe largimin e kancelarit Olaf Scholz. Zgjedhjet pritej të zhvilloheshin më 28 shtator, por mosmarrëveshjet brenda koalicionit “semafor” (Socialdemokratët, Liberalët dhe të Gjelbrit) për çështje ekonomike dhe buxhetore sollën kolapsin e qeverisë dhe shpërndarjen e Parlamentit nga presidenti Frank-Ëalter Steinmeier më 27 dhjetor.
Një qeveri e fortë gjermane do të ishte e rëndësishme për përgjigjen e Evropës ndaj administratës së re të SHBA-së, ndaj trazirave në Ukrainë dhe gjetkë.Gjermania dhe Franca fqinje kanë qenë tradicionalisht motori i BE-së, por të dyja janë konsumuar nga paqëndrueshmëria e brendshme politike në muajt e fundit.
Një nga detyrat më urgjente të qeverisë së re do të jetë gjetja e një përgjigjeje koherente e rigjallërimit të ekonomisë, e cila është tkurrur gjatë dy vjetëve të fundit. Një sfidë tjetër do të jetë reduktimi i mëtejshëm i migrimit të parregullt, i cili ka qenë ndër çështjet kryesore në fushatë.
Merz ka thënë se shpreson të formojë një qeveri të re deri në mes të prillit, nëse fiton.Qeveria në largim e Scholzit do të qëndrojë në detyrë derisa Bundestagu ta zgjedhë kancelarin e ri.
