Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e fundvitit mbajtur para deputetëve të Kuvendit këtyë të enjte, tha se institucionet janë të vendosura për të krijuar siguri në çdo cep të Kosovës ndërsa veriu mbetet sfidë. Osmani përcolli dhe një mesazh presidentit të Serbisë Vuçiç lidhur me këkesën e tij për prezencën e ushtrisë serbe.
“Jemi dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim së fundmi është shpërfaqur përmes idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por Serbia dhe udhëheqësi Vuçiç e di mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund njëherë e përgjithmonë më 12 qershor 1999. Kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi genocidal i tyre”.
Tërhoqi dhe vëmendjen tek politika e jashtme, e cila tashmë sipas Osmanit nuk është më për ndryshim kufijsh dhe as flirtim me Serbinë e Rusinë.
“Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh. Nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda individuale. Nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të përcaktuar . Nuk ka flirtime me Serbinë e Rusinë me qëllim të interesave individuale. Nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar një herë e përgjithmonë”.
