Ish-kryeministri Sali Berisha foli në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike në selinë blu në lidhje me rëndësinë e procesit të primareve për zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë, duke e cilësuar atë një tregues të respektit ndaj votës.
Berisha garantoi çdo kandidat që është futur në garë për ndershmërinë e procesit ndërsa shigjetoi kundërshtarët socialistë duke thënë se ata vijnë në këtë garë me emra që jetojnë si në shpellat e mafies të cilët publiku nuk ka mundësinë t’i njohë.
“Do bëhet gjithçka për një proces të drejtë dhe të ndershëm. Këto janë primaret e para që zhvillohen në këtë formë në PD dhe në vendin tonë. Duhet të bëjmë gjithçka për suksesin e këtij procesi. Kudo kandidatët tanë në primare po paraqiten jo si të krahut tjetër që jetojnë si në shpellat e mafies, por janë të gjithë para anëtarëve, janë në media janë edhe me të vërtetë kanë arritur ta bëjnë këtë proces me interes të veçantë te publiku”, tha Berisha.
Kryebashkiaku Erion Veliaj komentoi sot procesin e primareve në PD. Veliaj tha se Berisha e ka caktuar se kush do e fitojë garën, duke iu referuar kështu Belind Këlliçit. Sipas tij, 6 kandidatët e tjerë lodhen kot, ndërsa shtoi se mezi po e pret fushatën.