Akademia e Shkencave prej afro dy muajsh ka ngritur tashmë grupin e punës për të hartuar një raport që do i dorëzohet komitetit të Rindërtimit lidhur me kushtet e projektimit të ndërtesave në Shqipëri. Pjesë e këtij grupi është dhe eksperti i inxhinierisë, lektor në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, Markel Baballëku.
Në një intervistë për tirananews.al, z. Baballëku theksoi se ka ardhur koha që Eurokodet të bëhen të detyrueshme me ligj dhe duhen ndërmarrë hapat e shpejtë që të ngrihet një njësi e posaçme, e pandikuar nga faktorë jashtë fushës teknike, e cila do të vërë në zbatim dhe do të mirëmbajë kodet e ndërtimit në përgjithësi dhe të trajtojë në veçanti çështjet e vlerësimeve sizmike të ndërtesave.
Profesor Baballëku, duke folur mbi situatën aktuale dhe hapat që duhen ndjekur më tej, konsideron të ngutshme që censusi i cili nis së shpejti të shohë me kujdes e me përparësi parametra inxhinierik të ndërtesave. Gjithashtu një hap mjaft i rëndësishëm është edhe Harta e Riskut Sizmik që ndërthur së bashku, rrezikun sizmik natyror dhe vulnerabilitetin e ndërtesave në shkallë zone apo shkallë vendi.
Më poshtë intervista me inxhinierin Markel Baballëku:
Njësia e kërkimit e sizmologjisë e ngritur pranë Akademisë së Shkencave prezantoi raportin që do i paraqitet Komitetit të Rindërtimit, ku ju folët për hapat që duhet të ndiqen, institucionet që duhet të përfshihen, studimet për mikrozonimin. Çfarë u vendos?
– Grupi i punës ka pasur dy detyra. Si detyrë e ngutshme ka qenë vlerësimi i mundësisë së përdorimit ligjor të hartës sizmike në përputhje me kërkesën e Eurokodit 8. Në gjithë gamën e parametrave që përfshin Eurokodi 8, “thembra e Akilit” qëndron harta sizmike për të cilën ne kemi tre studime të mirëfillta, një ndër ta është botim i Akademisë së Shkencave i cili jep rrezikun sizmik për çdo njësi administrative të Shqipërisë. Ka qenë një punë e zhvilluar në ish-institutin e sizmologjisë (sot IGJEUM) nga ekspertë emër në fushën e sizmologjisë dhe në 2010 është botuar në Akademinë e Shkencave.
Detyra e dytë ka një gamë më gjithëpërfshirëse pasi do të jepen propozime për masat që mund të marë komiteti i rindërtimit apo qeveria shqiptare për të përfunduar procesin e adoptimit të Eurokodeve. Kuptohet, vendimet do ti marrë qeveria, por të paktën të japim ndihmën tonë që ajo të ketë një panoramë më të qartë për rrugën që duhet ndjekur apo dhe veprimet që duhen ndërmarrë. Prezantim i fundit këtë kishte në fokus. Për shembull, gjatë fazës së dytë, ku udhëzohet që pa humbur kohë të fillojë adoptimi i kodeve përmes paketave të tyre, (më të ngutshmet ndërtesat e betonit dhe muraturës) harta sizmike mund të miratohet. Procesi nuk është as i thjeshtë as i shpejtë, por nëse vijon siç duhet dhe mbështetur në udhëzues të mirëpërgatitur, pas ngjarjes së fundit sizmike, ka gjasa të mira të përfundojë mbarë.
Keni qenë pjesë e grupit të punës për kodet. Aktualisht nuk është i detyrueshëm në Shqipëri me ligj. A mund të flasim në situatën e sotme për një mospërputhje mes kushteve teknike ekzistuese dhe gjendjes reale të ndërtimit në vendin tonë?
– Nuk mund të them dot me përpikmëri pasi ende nuk ka një analizë të plotë mbi këtë çështje. Por mospërputhje mes ndërtimeve dhe kushteve teknike në fuqi ka dhe jo pak. Nëse KTP-n2-89 do të ndiqej plotësisht – së pari parimet e tij, parime ato të ngjashme dhe për disa aspekte të njëjta me parimet e versioneve fillestare të kodit – gjendja do të rezultonte me më pak pasoja në zonat me ndërtime intensive.
Mendoj se mikrozonimi sizmik ekzistues ka parashikime të mira për zonën e Durrësit, referuar tërmetit të ndodhur. Ndërkohë, ka zona të tjera me ose pa mikrozonim ku tërmeti ka goditur më fortë sesa parashikimet. Të dyja ekzistojnë dhe sot detyrimisht ka ardhur koha për të bërë një rishikim të plotë.
Kanë kaluar 30 vjet nga ’90 dhe nevojë për përmirësime është e ngutshme. Edhe plotësisht “Eurokode” ti kishim kushtin tonë teknik në ’90, sot prapë duhet ti përmirësonim – në vendet e zhvilluara përditësimi i kushteve teknike ndjek një frekuencë 5 ose 10 vjeçare.
Lidhur me kodet, mund të them se edhe aty ku ato përdoren si kushte teknike projektimi vullnetare, nuk zbatohen plotësisht dhe me përpikëri, që do të thotë se komuniteti i inxhinierëve zbaton një pjesë të parimeve të kodeve, por sa kohë ato nuk janë në fuqi.
Nga njëra anë, trysnia e një trekëndëshi investitor-zbatues-arkitekt/inxhinier dhe nga ana tjetër pamundësia e kontrollit apo e oponencës me ligj kundrejt projektit strukturor “sipas Eurokodeve” e zbeh zbatimin e tyre siç duhet në praktikë.
Në jo pak raste shmangen parimet strukturore sizmike, duke përdorur togfjalësh të mjegullt: “në përputhje me KTP-të dhe llogaritur sipas Eurokodeve”. Me këtë gërshetim mund të anashkalohen edhe parimet e kushtit tonë teknik në fuqi.
Pra, ka ardhur koha që të bëhen të detyrueshme kodet?
– Patjetër, që duhet të bëhen të detyrueshme sepse në të kundërt ne përsëri nuk do të dimë të bëjmë vlerësimet e duhura qoftë mbi stokun e ndërtesave por nuk do të prodhojmë dot as standard projektimi për ndërtesat. Kuptohet që kodet nuk mund të zbatohen vetëm, kërkojnë edhe përfshirjen e një game standardesh që lidhen me gjithë zinxhirin e ndërtimit: zbatimin, mbikëqyrjen, provat inxhinierike, cilësinë e materialeve dhe produkteve ndërtimore
Mendoj të domosdoshëm edhe ndërmarrjen e hapave të shpejtë për ngritjen e një njësie të posaçme, të pandikuar nga faktorë jashtë fushës teknike, që nga njëra anë të vërë në zbatim dhe të mirëmbajë kushtet teknike dhe nga ana tjetër të përqendrohet në çështjet sizmike të ndërtimeve në Shqipëri.
E prekëm pak a shumë, por a ka përpjekje për të vendosur bazat e zbatueshmërisë së kodeve në Shqipëri? A ka studime kombëtare për rrezikun e tërmeteve dhe a janë të lidhura me zbatimin e kodeve?
– Po, përpjekjet ekzistojnë, ato kanë nisur të paktën që në vitin 2000, bazuar në versionet paraprake të kodeve. Disa institucione janë përfshirë, ku mund të veçoj fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit dhe institutin e ndërtimit. Në vitin 2001 është mbajtur edhe një konferencë e rëndësishme kombërare, takimi i parë gjithëpërfshirës ku janë dhënë dhe direktiva të mirëfillta nga specialistët se si duhej të kryej adoptimi i Eurokodeve.
Në vitin 2011 ka nxjerrë vendimi i parë i Këshillit të Ministrave për ta adoptuar kodet. Nga 2011 deri sot janë të paktën 4 procese për të futur kodet në zbatim, por sipas meje këto procese nuk janë bashkërenduar si duhet.
Më duhet të kujtoj se në 2012 u përgatit edhe dokumenti “Udhëzuesi Kombëtar për adoptimin e kodeve”, dokument i cili nuk u ndoq në proceset pasrendëse. Nëse nuk veprojmë tani, shumë shpejt do të gjendemi përpara faktit: pa nxjerr gjeneratën e dytë të kodeve, ne ende mendohemi për adoptimin e gjeneratës së parë.
A mund të quhet ky hapi i parë në situatën që jemi tani?
– Unë nuk mund të them hapi i parë, pasi nuk di ku ta vë piketën e hapit të parë, për sa kohë paralelisht me nismat shtetërore edhe komuniteti i inxhinierëve, pavarësisht se jo në trajtë të detyrueshme, përdorin pjesërisht kodet në projektim. Si hap të parë mund të konsideroj mesvitet ‘90, kur kodet kanë filluar të hyjnë në trajtë të pjesshme edhe në programet mësimore të inxhinierisë së ndërtimit.
Ne sot nuk jemi në hapat e parë, por e rëndësishme është të fillojë zbatueshmëria, e cila mund të kërkojë kohën e vet dhe jo të pakët, si për ti bërë Eurokodet sa më të kuptueshëm nga komuniteti i inxhinierëve ashtu dhe për ti mirëmbajtur ato. Nuk duhen harruar edhe standardet e tjera të ndërtimit, përmendur më sipër.
A janë konfrontuar apo mund të konfrontohen studime me përvojën e rajonit dhe më gjerë?
– Nëse i referoheni studimeve të rrezikut sizmik, të cilat janë vetëm një e dhënë hyrëse referuar studimeve të nevojshme sot në fushën e sigurisë sizmike të veprave ndërtimore, ka dhe jo pak studime të përbashkëta, pasi vendet fqinje gjithmonë shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për këto çështje. Këto studime gjithmonë prodhojnë elementë të rëndësishëm dhe ndikojnë në rritjen e sigurisë për veprat inxhinierike, kuptohet nëse ato vihen më zbatim.
A mendoni se duhet marrë parasysh tërmeti i 26 nëntorit në punën aktuale të grupit të Akademisë së Shkencave për hartimin e paketës së re?
– Pasojat e tërmeteve mbi një fuqi të caktuar, studiohen imtësisht nga specialistët e fushës së inxhinierisë sizmike. Në këndvështrimin ngushtësisht studimor, tërmete si ai i 26 nëntorit ofrojnë një “kontribut” me rëndësi shkencore, sepse japin të dhëna me vlerë për gjendjen ekzistuese të ndërtimeve dhe veprimet që duhen ndërmarrë më tej për mbrojtjen sizmike, motiv për të cilin u duhet kushtuar vëmendje e veçantë. Sjellja sizmike e veprave ndërtimore gjatë tërmeteve të 26 nëntorit dhe 21 shtatorit nxori në pah shumë aspekte, si parime teorike ashtu edhe praktika ndërtimore, që përgjithësisht ishin lënë në harresë
Nga ana tjetër, për zonën ku është bërë regjistrimi pjesor në Durrës, forcat llogaritëse sizmike sipas kushtit teknik në fuqi janë pak më të larta se forca që goditi tërmeti. Do të thotë se tërmeti ishte i fortë dhe vlen shumë për të kryer studime dhe vlerësuar ndërtesat ekzistuese por nuk është më i forti në historinë tonë, dhe nuk është maksimumi sipas hartës së re që propozohet për tu zbatuar, sipas kërkesave të kodeve.
Theksoj se edhe pa tërmetet e shtatorit dhe nëntorit, përditësimi i hartës së rrezikut sizmik ka qenë në fokus dhe i detyrueshëm për tu kryer. Tërmeti nuk ka qenë i tillë që të na ndryshojë rrënjësisht hartën sizmike, por të na bëjë të mendojmë më tepër për pasojat e tij në sipërfaqe dhe veçanërisht në disa zona me veti gjeologjike dhe gjeoteknike të veçanta. Këtu vlen të theksohet edhe dinamika e zhvillimit urban: Një zonë që më para nuk ka pas fare apo shumë pak zhvillim, sot rezulton e tejmbushur me ndërtime.
Diçka tjetër për të shtuar ?
– Më sipër preka tërthorazi një çështje tjetër tepër të rëndësishme, përtej rrezikut sizmik – analiza e riskut sizmik!
Është një analizë pak më e koklavitur por sipas meje e detyrueshme të bëhet. Risku sizmik përfshin disa përbërës: nga njëra anë çfarë vjen nga natyra – rreziku sizmik dhe kushtet e trojeve dhe nga ana tjetër vulnerabilitetin/cenueshmërinë dhe intensitetin e ndërtimeve si dhe dendësinë e banimit në zonë. Këtu duhet përfshirë edhe një rrjet i duhur dhe efikas monitorimi sizmik. Gërshetimi i tyre prodhon atë që quhet risk dhe analiza e tij është me interes parësor për shtetin. Thënë më thjesht: Tërmeti i 26 nëntorit kishte pasoja se goditi zona të banuara dhe me intensitet të lartë ndërtimi. Nëse i njëjti tërmet do të kishte goditur në Korab apo Tomorr, pra zona pa ndërtime dhe pa banorë, pasojat do të ishin pranë zeros. Rreziku natyror i njëjtë – Risku mjaft i ndryshëm!
Përtej vëmendjes së lartë që i kushtohet hartës së rrezikut sizmik, duhet menduar seriozisht edhe për hartën tjetër, “Hartën e Riskut Sizmik”, e cila mund të ndërtohet si fillim për një zonë pilot dhe më pas për gjithë territorin. Nuk është thjesht një hartë por një projekt me të dhëna të shtresëzuara.
Kjo “hartë” shërben gjerësisht për vlerësime paraprake në rast tërmeti. Vendet sizmike e kanë një të tillë dhe në çastin që bie tërmeti (vendndodhja dhe fuqia e tij përcaktohen menjëherë), agjencitë e mbrojtjes civile prodhojnë pas ngjarjes, madje në kohë reale, skenarë të mundshëm të pasojave të tërmetit së bashku me koston financiare.
Duke marr shkas nga pika e fundit, është e rëndësishme, që censusi i radhës të shohë me kujdes e me përparësi parametrat inxhinierik të ndërtesave. Censusi i 2001 ka pasur informacion pjesor për ndërtesat. Në dijeninë time edhe censuri i tanishëm ka disa elementë por shumë më pak se sa duhen. Kjo çështje duhet parë me seriozitet që baza e të dhënave të jetë sa më e plotë. Do të ishte ky census që do të ndihmonte mjaft në ndërtimin e “hartës së riskut sizmik”. Synimi i botës është që në kohën reale, atë ditë apo të nesërmen qeveria të ketë të dhëna të mjaftueshme mbi dëmin e shkatuar, kuptohet jo plotësisht të sakta se ato janë edhe teorike, por të ketë një ide të kthjellët mbi ‘to. Shkalla e përafërt e dëmit tek ne doli 1 miliardë dhe rreth 2 muaj më vonë, shkallë që vendet e zhvilluara në trajtë analitike e kanë po atë ditë.
Nëse do të kishim një program të tillë, Mbrojtja Civile do i përcillte qeverisë analizën e dëmit të pritshëm që ditën e parë dhe për ta korrigjuar atë do të duheshin vetëm zona pilot që specialistët e fushës mund ti vlerësonin dhe të trajtonin shpejt e me saktësi të pranueshme dëmin. Dhe sot që flasim, kostoja e dëmit të vlerësuar nuk është e saktë, por e përafërt.
Në muajin prill mbahet simpoziumi ndërkombëtar për tërmetet e Durrësit dhe Eurokodet. Çfarë do të trajtojë ky simpozium?
– Simpoziumi si ide ka lindur pas tërmetit të shtatorit. Departamentet e fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit kanë ndërmarrë këtë nismë për të trajtuar pasojat e tërmetit të shtatorit në ndërthurjen e tyre me kushtet e reja teknike të projektimit. Tërmeti i nëntorit ndonëse solli ndërlikime në kuptimin e hapave për përgatitjen e simpoziumit, nga ana tjetër përforcoi idenë dhe shtoi nevojën për mbajtjen e tij.
Fokus i simpoziumit janë çështjet që kanë të bëjnë me sizmologjinë, gjeologjinë, rrezikun sizmik dhe veçanërisht me pasojat e tërmetit dhe vlerësimin e dëmtimeve. Kuptohet do të ketë një dritare për të ndërthurur pasojat e tërmetit dhe kushtet teknike të projektimit që priten të adoptohen.
Simpoziumi është një ngjarje shkencore që ka për synim pjesëmarrjen e ekspertëve më të mirë të fushës, vendas dhe të huaj, si dhe për të përftuar një bashkësi mendimesh të argumentuara sa më cilësore të situatës së krijuar pastërmetore. Në fund të tij do të dalin përfundime dhe një pjesë e tyre mund ti përcillen autoriteteve vendimmarrëse./ tirananews.al
Intervistoi: Anisa Braho