Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar programin e PD për biznesin dhe antikorrupsionin, me synimin që Shqipëria të bëhet mes 30 vendeve më të mira për të bërë biznes.
Ai tha se do të vendoset një moratorium 1-vjeçar gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.
“Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve. Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti. Do të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë. Do të luftojmë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli. Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare. Do të eliminojmë çdo interpretim ligjesh nga zyrtarët e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm. Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull”,tha Basha mes të tjerash.
