I dërguari me punë i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca thotë se synohet që brenda fundit të këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për Shqipërinë.
“Shqipëria është angazhuar aktivisht dhe ka treguar një rang të lartë në procesin analitik. Dua të përgëzoj të gjithë skuadrën për përfaqësimin shumë të mirë të Shqipërisë në negociatat për BE. Objektivi ynë është që të hapim grupin thelbësore nga fundi i këtij viti. Kemi hyrë në pikën kulmore të procesit të negociatave. Shqipëria do ketë mundësinë të tregojë një angazhim të qartë për përparimin e reformave”, tha Soreca.
Në konferencën e prezantimit të Progres Raportit të BE për Shqipërinë, Soreca tha edhe se vendi ynë ka bërë progres në reformat për integrimin në BE. Soreca theksoi edhe njëherë se Shqipëria është një partner i besueshëm i Bashkimit Europian.
“Raporti shënon që autoritetet shqiptare kanë vazhduar që të shprehin në mënyrë të përhershme angazhimin politik për integrimin strategjik të BE. KE njeh që Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat, duke përfshirë reformën në drejtësi. Shqipëria ka mbajtur përputhshmëri me politikat e huaja dhe ato të sigurisë. Ne njohim rolin që ka luajtur Shqipëria në këshillin e sigurisë. Shqipëria mbetet një sinjal i fortë i zgjedhjes strategjike në BE dhe rolit të saj si një partner i besueshëm i BE”, u shpreh Soreca.