Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka folur për gazetën amerikane ‘New York Post’ në lidhje me projektet e reja në Shqipëri dhe Serbi.
Projekti më ambicioz i Kushner është shndërrimi i ishullit të Sazanit në një resort turistik luksoz të markës Aman.
“Aftësia për të zhvilluar 3 milje vijë bregdetare të bukur dhe një ishull 566 hektarësh në mes të zemrës së Mesdheut është unike,” tha Kushner me The Post.
“Uji është blu kristal si Maldivet. Është bukur. Plazhet janë të pabesueshme dhe është vetëm një nga këto vende të veçanta”, shtoi ai.
Gazeta shkruan se Kushner ka bashkuar forcat me miqtë e tij, Ric Grenell, ish-ambasador i SHBA në Gjermani dhe biznesmenin njujorkez Asher Abehsera për të investuar në turizmin shqiptar, që po njeh një bum kohët e fundit.
Pasi u largua nga qeveria, Kushner themeloi kompaninë Affinity, një firmë që ka grumbulluar një total asetesh prej 3.1 miliardë dollarësh.
Investimet mund të kenë ngritur pikëpyetje, por Kushner tha se ai ka ndjekur çdo ligj dhe rregull etike.
“Nëse më pyesni për punën që kemi bërë në Shtëpinë e Bardhë, për kritikët e mi, ajo që them është se nuk ka një vendim të vetëm që kemi marrë, që nuk ishte në interes të Amerikës”, tha Kushner.